Euro 2024

Anglia synon të përmirësojë përshtypjet në ndeshjen ndaj Danimarkës

Anglia - Danimarka

Anglia e nisi me fitore kampanjën në Euro 2024, por nuk bindi në ndeshjen e parë. Jude Bellingham shënoi golin për fitoren 1:0 ndaj Serbisë, në Gelsenkirchen. Por në pjesën e dytë të ndeshjes anglezët kishin telashe të shumta, ndërsa shumë njohës vlerësuan se me atë paraqitje nuk janë në rrugën e duhur për të shkuar larg.

Ndeshjen e dytë në Gjermania 2024, Anglia e luan të enjten. Prej orës 18:00 takohet me Danimarkën në Frankfurt.

Danezët luajtën 1:1 me Slloveninë në takimin e parë. Christian Eriksen shënoi gol, por danezët nuk është që shfaqën shumë po ashtu.

Këto dy përfaqësuese ishin takuar në gjysmëfinale të Euro 2020. Anglia kishte fituar pas vazhdimeve, falë golit të kapitenit Harry Kane në minutën e 104-t. Anglia kishte fituar 2:1.

“Danimarka ka ekip të mirë dhe trajner të mirë. Ne kemi pasur ndeshje të vështira ndaj danezëve, jo vetëm në Evropian por edhe në Ligën e Kombeve. I  dimë anët e forta të Danimarkës dhe duhet të luajmë lojën tonë më të mirë”, ka thënë selektori i Anglisë, Gareth Southgate.

“Duhet të dëshmojmë se jemi më të mirë se para tri vjetësh. E dimë që kemi lojtarë të mirë dhe se mund të luajmë më mirë se në ndeshjen e parë këtu”, ka shtuar selektori anglez.