Anglia luan kundër Sllovakisë në 1/8 e finales në “Euro 2024” të dielën, pas kritikave të mëdha që mori për paraqitjet në fazën grupore.
Ndeshja Anglia – Sllovakia nis në orën 18:00 dhe luhet në Gelsenkirchen.
Anglezët që janë finalistë të Evropianit që u zhvillua para tre vjetësh, synojnë fitoren ndaj Sllovakisë me përvojë. Më pas, rruga për në finale do të ishte shumë më e lehtë, pasi është në krahun e kundërt të shteteve pretendente për trofe.
Anglia avancoi si e para në grup por tifozët nuk janë ndarë të kënaqur me paraqitjet e saj, në turneun e katërt madhor të Gareth Southgatet në krye të ekipit. Ai megjithatë, ka arritur që ta kualifikojë skuadrën gjithmonë deri në çerekfinale. Sllovakia nga ana tjetër, do të luajë në këtë fazë të Evropianit për herën e dytë si shtet i pavarur. Grupin e kishte kaluar edhe në vitin 2016.
“Gjithçka mund të ndodh. I kemi cilësitë me të cilat mund të ndërtojmë, por ky është test tjetër, fazë tjetër e turneut dhe secila ndeshje është ndryshe”, ka thënë Southgate.
Ndërkohë, kapiteni i Sllovakisë, Milan Shkriniar, është i lumtur me suksesin e deritashëm, por synon më shumë.
“Na kujtohet nga ku ka nisur çdo gjë. Kur selektori e mori drejtimin e skuadrës, ishim duke luajtur para 2 mijë tifozëve. Tani, pas dy vjetësh, jemi në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës. Kështu që është gjë e shkëlqyer dhe jemi të lumtur”, ka thënë Shkriniar.
Anglia ndaj Sllovakisë nuk ka humbje në gjashtë ndeshje, me pesë fitore e një barazim.