Euro 2024

Anglia duhet të kujdeset që prania e saj të ndihet në Euro 2024

Kombëtarja e Anglisë

Koln, 23 qershor – Anglia tashmë e ka njërën këmbë në raundin nokaut të Euro 2024. Nuk mund të përfundojë më poshtë se pozita e tretë në grup, por ende duhet të ofrojë paraqitje që prania e saj të ndihet vërtetë në ngjarjen e madhe. Optimizmi rreth Anglisë është zvogëluar ndjeshëm pas dy ndeshjeve të zbehta.

Anglisë i duhet të shmang humbjen në Koln për të siguruar avancimin në një të tetën e finales, ndërsa do ta fitojë grupin me fitore. Nëse Danimarka dështon ta mposht Serbinë në ndeshjen tjetër të Grupit C, Anglia do të kualifikohet pavarësisht rezultatit në ndeshjen ndaj Sllovenisë.

Sllovenia avancon në një të tetën e finales me fitore ndaj Anglisë.

Ndeshjet e fundit në Grupin C, Angli – Slloveni dhe Danimarkë – Serbi, zhvillohen të martën prej orës 21:00.

Tifozët dhe ekspertët në ishull kanë kritikuar ashpër përfaqësuesen angleze që drejtohet nga Gareth Southgate. Anglia fitoi 1:0 ndaj Serbisë dhe mori barazim të vështirë, 1:1, ndaj Danimarkës. Tifozët kanë fishkëllyer lojtarët pas ndeshjes së dytë.

Southgate dha disa komente shqetësuese pas ndeshjes, duke përmendur gjendjen e lojtarëve pas një edicioni shumë të gjatë me klube.

“Nuk po bëjmë presion sa duhet, me intensitet të duhur”, tha selektori anglez.

"Ne kemi kufizime për këtë, për shkak të gjendjes fizike. Nuk mund të bëjmë presion lart në fushë si kemi mundur të bëjmë në kualifikime, për shembull. Dhe nuk po e mbajmë topin si duhet. Është kaq e thjeshtë. Duhet ta mbajmë topin më mirë dhe të ndërtojmë me më shumë kontroll. Kështu do të mbrohemi më pak dhe do të kemi më shumë besim”, ka shtuar Southgate.

Pyetjet më të shumta janë se çfarë ndryshimesh do të bëj Southgate pasi ai vendosi për formacion të njëjtë në të dy ndeshjet.

“Kemi ndier se gjëja e duhur për të bërë ndaj Danimarkës është t’u besojmë lojtarëve që ishin në ndeshjen e parë. Ne e kemi fituar ndeshjen e parë”, ka vazhduar Southgate.

Ai e zëvendësoi herët në pjesën e dytë Trent Alexander-Arnoldin, që po luan në mesfushë, plotësisht jashtë pozitës së tij. Harry Kane, Bukayo Saka e Phil Foden u zëvendësuan 15 minuta më pas.

Sllovenia luajti 1:1 me Danimarkën e më pas mbeti pa fitore në minutën e 95-të ndaj Serbisë. Luajti sërish 1:1.

Benjamin Sheshko, lojtari kryesor i Sllovenisë, mund të shkaktojë telashe të tjera për mbrojtjen angleze.

“Tek Anglia e dinë që kemi luajtur dy ndeshje të mëdha. Anglia nuk është në formën më të mirë, ndonëse vazhdon të jetë ekip i shkëlqyer. Por mendoj se tani është mundësia më e mirë për të luajtur ndaj saj dhe të shfaqim më të mirën e mundshme”, ka thënë Sheshko.