Euro 2024

A do ta festojë Yamali ditëlindjen e 17-të me titull të Evropës?

Lamine Yamal

Lamine Yamal ka mahnitur gjatë gjithë Evropianit në Gjermani, por të martën në Munih tregojë pjekurinë e tij me një goditje të shkëlqyer. Ai shënoi supergol dhe udhëhoqi Spanjën në fitoren 2:1 ndaj Francës për të bërë vend në finale të Euro 2024.

Franca në fakt nisi shumë mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e nëntë me golin e Randal Kolo Muanit. Por në skenë doli 16-vjeçari Yamal. Ai bëri goditje shumë të bukur e shumë të saktë nga distanca për 1:1. U bë golashënuesi më i ri në histori të kampionateve evropiane.

Goli i bukur i Yamalit në minutën e 21-të tronditi francezët. Ende duke tentuar të marrin veten, francezët bënë tjetër lëshim dhe Dani Olmo shënoi golin e fitores në minutën e 25-të.

Talenti i veçantë i Barcelonës, Yamal, përgatiti gola për bashkëlojtarët në fitoret ndaj Kroacisë, Gjeorgjisë dhe Gjermanisë. Por nuk kishte shënuar deri në gjysmëfinale.

“Ishim një gol prapa dhe unë thjeshtë mora topin. Nuk mendova shumë dhe gjuajta drejt portës”, ka thënë Yamal për ZDF.

“Nuk mendoj shumë për atë që jam vetëm 16-vjeçar. Vetëm po e shijoj momentin dhe jam krenar që jam në finale”.

Sulmuesi i krahut, që debutoi te Barcelona në moshën 15-vjeçare në edicionin 2022/2023, është përmirësuar ndjeshëm me secilën paraqitje dhe është bërë shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij.

Me përfaqësuese rrëfimi është i njëjtë. Yamali tashmë është lojtar vendimtar, ndonëse ka vetëm 13 paraqitje për Spanjën.

E fundit prej tyre ishte një natë magjike në Bavari, ku Yamali bëri histori dhe ka shënuar me gjasë golin më të bukur të Evropianit.

“Kemi parë një gjeni, vepër gjeniu”, ka thënë selektori i Spanjës, Luis de la Fuente.

“Jemi me fat që ai është spanjoll dhe mund të shijojmë paraqitjet e tij për shumë e shumë vjet”.

Loja e Yamalit është e ndritshme, por jo e tepruar. Veprimet e tij bëhen për të krijuar hapësirë më shumë se vetëm për shfaqje. Ai kryesisht merr vendime të arsyeshme, por bën masën e njerzve për vete me driblime të jashtëzakonshme. Në këtë drejtim është i ngjashëm me lojtarin të cilin e ka shikuar si fëmijë, argjentinasin Lionel Messi.

Javën e kaluar u shfaq një fotografi vështirë e besueshme e argjentinasit duke larë një fëmijë, që ishte Yamal. Fotografia ishte pjesë e një kalendari bamirësie për të cilin lojtarët e Barçës ishin fotografuar në vitin 2007.

“Fillimi i dy legjendave”, ka shkruar babai i Yamalit, Mounir Nasraoui për fotografinë që e shpërndau.

Mbrojtësi i djathtë i Spanjës, 38-vjeçari Jesus Navas, i cili startoi ndaj Francës, është më i vjetër se Mouniri.

Mesfushori i Francës, Adrien Rabiot, është 29-vjeçar, por i mungoi kujdesi për të mos sfiduar një lojtar që po thyen rekorde dhe që duket i patrembur nga çdo sfidë që i del para.

“Duhet t’i tregojmë atij se për të luajtur në finale të Evropianit duhet të bëjë shumë më tepër se që ka bërë deri më tani”, tha Rabiot për Yamalin para ndeshjes.

Yamali postojë një grafikë me mbishkrimin: “Lëviz në heshtje, fol vetëm kur është koha për të thënë mat”. Postimin e bëri pak orë para se të kujdesej në fushë për t’ia bërë “mat” Francës. Te goli mahnitës, Yamali shmangu Rabiotin me lëvizje superiore të këmbëve dhe me shkathtësi.

Talenti i madh bëri një veprim të ngjashëm në pjesën e dytë kur kaloi Theo Hernandezin dhe gjuajti drejt portës. Efikasiteti para portës mund të jetë prej “fushave” ku Yamali mund të përmirësohet ende. Por ajo aftësi vjen edhe me përvojë.

Yamali mori një karton në fund të ndeshjes, pasi tërhoqi Hernandezin, për të penguar shpërthimin e tij. Ishte një vendim cinik por efektiv, që është tjetër shembull se ai është më i pjekur se që ka moshën.

“Jam shumë krenar për Laminen. Njerëzit do të flasin për golin, paraqitjen e shkëlqyer të këtij 16-vjeçari. E ardhmja e tij është e ndritur. Unë e përgëzova për përkushtimin në mbrojtje, për ndeshjen komplete. Ai ka ndihmuar vazhdimisht”, ka thënë mesfushori Rodri.

Lamine Yamal mbush 17 vjet më 13 korrik, një ditë par finales në Berlin.

Çka dëshiron ai për dhuratë?

“Të fitoj, të fitoj, të fitoj”, tha Yamal. “Synimi im ishte që ta arrija ditëlindjen në Gjermani”.