Pas raportimeve në medie ndërkombëtare për reduktime të stafit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, ish-kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se për Kosovën kjo do të nënkuptojë humbje të grantit prej 200 milionë dollarëve. E, në Qeveri nuk kanë treguar nëse nga vendimi do të preket projekti i baterive për ruajtjen e energjisë
Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), agjenci federale amerikane që është e fokusuar në zhvillimin ekonomik të shteteve në zhvillim, pritet t’i reduktohet ndjeshëm stafi si pjesë e planit të administratës së presidentit Donald Trump, për të reduktuar shpenzimet qeveritare.
E Kosova ka marrëveshje me këtë agjenci për mbështetjen e projektit të baterive energjetike për të reduktuar koston e importit të energjisë. Vlera e kësaj marrëveshjeje është 200 milionë euro.
Siç kanë shkruar mediat amerikane, punonjësit e MCC-së kanë marrë të martën një e-mail në të cilën është njoftuar për “reduktim të dukshëm” në staf dhe programeve – vetëm një javë pas inspektimit të Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE) në këtë agjenci. Sipas CNN-it, punonjësve u është kërkuar të largohen që nga 5 maji.
KOHA ka dërguar pyetje në e-mail-adresën e Ministrisë së Ekonomisë përkitazi me ndikimin që do ta ketë vendimi, por nuk ka siguruar përgjigje.
E, për raportimet për MCC-në ka shkruar në Facebook ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili hodhi akuza ndaj Qeverisë Kurti.
“Kosova është ndër vendet që do të pësojë më së shumti. Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz. Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milionë dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me SHBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike”, ka shkruar Hoti, i cili është deputet i LDK-së.
Në prill të 2024-s, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës e patën lansuar projektin, në kuadër të programit Kompant, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë. Prej tyre 202 milionë dollarë ishin nga SHBA-ja. Me to synohej që Kosova të kishte bateri për ruajtjen e energjisë elektrike.
Në janarin e sivjetmë është organizuar një konferencë për procedurat e parakualifikimit rreth dizajnimit dhe ndërtimit të sistemeve të mëdha për ruajtjen e energjisë elektrike nëpërmjet këtyre baterive.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pati thënë se përdorimi i sistemit të baterive, të cilat është paraparë të vendosen në Ferizaj dhe në Istog, do ta ndihmojë edhe ekonominë e Kosovës.
MCC-ja është themeluar nga Kongresi amerikan në vitin 2004 nën administratën e presidentit George W. Bushit. Ajo ka shërbyer si agjenci e pavarur nga Departamenti i Shtetit. Aktualisht ka 5.4 miliardë dollarë në formë grantesh aktive në 20 shtete me buxhete jo të mëdha.