Ekonomi

Rafuna: Tarifa e SHBA-së me shumë ndikim në Kosovë

Lulzim Rafuna

Tarifa prej 10 për qind e vendosur nga Shtetet e Bashkuara për Kosovën do t’i shtrenjtojë produktet kosovare që eksportohen në SHBA dhe, si pasojë, mund të bjerë kërkesa për to, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ai u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shfrytëzojnë të gjitha kanalet e mundshme për të kërkuar pezullimin – qoftë edhe të përkohshëm – të kësaj tarife, por gjithashtu të eliminojnë tarifën ekzistuese ndaj produkteve të SHBA-së.

"Po, ndikimi do të jetë i madh, sepse do të kemi një tarifë shtesë prej 10 për qind për mallrat e Kosovës që eksportohen në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse na është vendosur një tarifë më e ulët sesa disa vendeve të rajonit, që e rrethojnë Kosovën, kjo gjithsesi e shtrenjton produktin me origjinë nga Kosova, i cili do të dalë në tregun e SHBA-së më i shtrenjtë sesa ka qenë deri më sot", theksoi ai.

Rafuna tha gjithashtu se edhe tarifa prej 20 për qind e vendosur nga SHBA ndaj Bashkimit Evropian mund të ketë ndikime indirekte në Kosovë, veçanërisht te prodhuesit vendorë që furnizohen me mallra nga BE-ja, të cilat në fakt importohen nga SHBA-ja.

"Padyshim që nuk është lajm i mirë. Ajo që duhet të bëjnë institucionet tona është të shfrytëzojnë të gjitha kanalet e mundshme për të kërkuar pezullimin, qoftë edhe të përkohshëm, të kësaj tarife. Ne kemi pasur raste të ngjashme më parë, për shembull, gjatë administratës së presidentit Trump, një tarifë doganore ndaj Kanadasë u pezullua për një periudhë prej dy muajsh. Pra, kjo është e mundur. Edhe një herë, them që institucionet tona duhet të punojnë për të gjetur një mundësi ose për ta pezulluar këtë tarifë, ose – më së miri – për ta larguar plotësisht", tha ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

 


Bilanci tregtar i Kosovës me SHBA-në në pesë vjetët e fundit

2019: 
Import: 45.7 milionë euro
Eksport: 3 milionë euro

2020: 
Import: 58.1 milionë euro
Eksport: 23 milionë euro

2021: 
Import: 92.2 milionë euro
Eksport: 123.2 milionë euro

2022:

Import: 69.8 milionë euro
Eksport: 131.1 milionë euro

2023:

Import: 81.3 milionë euro
Eksport: 103.9 milionë euro

2024:

Import: 106.5 milionë euro
Eksport: 39.1 milionë euro

2025 (Janar - Mars):

Import: 14 milionë euro

Eksport: 5.6 milionë euro