Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka marrë vendim që ta shpërbëjë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës (NKEC).
Kjo ndërmarrje prej vitesh ishte pa funksion, por vetëm brenda vitit 2022 ia ka harxhuar buxhetit të shtetit afër 70 mijë euro në paga për shtatë anëtarë të saj.
Ndërmarrja NKEC ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” nga ‘Contour Global’, por ky projekt është anuluar që nga marsi i 2020.
Në mbledhjen e mbajtur të martën Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila prekte nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit dhe Institucionit Korrektues në Prizren”, propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Rrugës Rajonale R221 Cerokolez-Rakosh” si dhe propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila prekte nga realizimi i projektit: “Konservimi, restaurimi dhe ndërtimi i kompleksit memorial Masakra e Reçakut”.
Murati: Marrëveshja për sigurime sociale me Turqinë mundëson eksportimin e pensionit
Gjithashtu është miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Turqisë.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se tani do të fillojnë negociatat me Republikën e Turqisë, në mënyrë që qytetarët që kanë punuar në njërin shtet ose tjetrin të mund të eksportojnë pensionin.
“Mundëson edhe pensionet ose kategoritë e tjera që të eksportohen. Është e mirë edhe për të dyja shtetet sepse mundëson edhe shkëmbimin e informatave. Kemi raste që njerëzit që kanë dyshtetësi kanë përfituar nga vakumi ligjor, prej të dyja vendeve”, është shprehur Murati në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.
Gjithashtu është Qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amandamentit të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe BE-së për programin IPA, me të cilin parashihet zgjatja për dy vjet e realizimit të projekteve të IPA-s.
LEXO EDHE: