Në evidencën e Trustit për datën 31 dhjetor 2024 kanë figuruar 3.181.841.318 euro, teksa në atë të 16 prillit të 2025-s janë 3.077.975.659 euro. Humbjen e evidentuar gjatë kësaj periudhe të vlerës së mjeteve që Trusti e ka nën menaxhim, ekonomisti Visar Vokrri i ka ndërlidhur me lëvizjet që janë shkaktuar në tregjet financiare globale nga politikat tregtare të ndjekura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump
Rreth 103 milionë euro më pak kanë figuruar në pasqyrën për muajin prill të 2025-tës të mjeteve nën menaxhimin e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës sesa në atë të dhjetorit të vitit të shkuar.
Teksa në evidencën e Trustit për 31 dhjetor 2024 kanë figuruar 3.181.841.318 euro, në atë të 16 prillit të 2025-s janë 3.077.975.659 euro. Mjetet e kursyera nga punëtorët në Kosovës për pensione Trusti i investon nëpër kompani të huaja, por edhe ato vendore me qëllim të ruajtjes dhe të rritjen e vlerës së tyre.
E humbjen e evidentuar gjatë periudhës dhjetor 2024 dhe prill 2025 në vlerën e mjeteve që Trusti i ka nën menaxhim, profesori i ekonomisë, Visar Vokrri, e ka ndërlidhur me lëvizjet negative që janë shkaktuar në tregjet financiare globale si pasojë e politikave tregtare të ndjekura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Një gjë e tillë vjen si rezultat i pasigurive që janë krijuar në tregjet financiare të kapitalit, për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike, nëse mund të shprehen kështu, sidomos pas masave tregtare që ka ndërmarrë presidenti Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pastaj ka reflektuar në investimet që i ka bërë Trusti”, ka thënë Vokrri.
E me gjithë vlerën e humbjes, në Trustin e Kursimeve Pensionale, nëpërmjet një postimi në Facebook, kanë vlerësuar se situata është menaxhuar mirë.
“Që nga fillimi i vitit 2025 e deri në datën e raportimit, indekset e rëndësishme të bursave, si S&P 500 dhe NASDAQ, kanë shënuar rënie -10.2% dhe -15%, përkatësisht. Përkundër kësaj, efektet në portofolat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (pra Trustit) ishin më të kontrolluara, për shkak të strukturës së balancuar dhe strategjisë së diversifikimit që zbatohet në vazhdimësi... Sigurisht, kohëve të fundit, vlerësimet në tregje financiare kanë një luhatje më të madhe dhe rezultate negative, por këto rezultate janë dukuri e zakonshme, ndonëse më e rrallë”, kanë bërë të ditur në Trust.
Trusti i Kursimeve Pensionale është i përbërë nga tre portofola, ai konservativ, i dedikuar për kontribuuesit afër pensionimit dhe që janë mbi 63 vjeç. Sipas njoftimit të Trustit, ky portofol nuk ka shënuar humbje pasi që “nuk është i ekspozuar në tregje të huaja të aksioneve”.
Portofoli i dytë është ai i balancuar dhe i përthekon kursimet e kontribuuesve të moshës prej 58 deri në 62 vjeç. Sipas Trustit, ky portofol ka shfaqur rezistencë të lartë kundrejt tregut të përgjithshëm dhe ka pasur performancë kthimi -3.9%. Dhe portofoli i tretë, ai standard për personat nën 57 vjeç, ka marrë goditjen më të madhe në kthim të investimeve me -7.1%.
Pjesa më e madhe e kursimeve në Trustin Pensional janë të investuara në sektorët e teknologjisë së informacionit, në financa, industri, kujdes shëndetësor dhe energji.
437 milionë euro të Trustit janë të investuar në buxhetin e Kosovës, 66 milionë euro në kompaninë amerikane “Microsoft”, 57 milionë euro në kompaninë “Apple” teksa ka investime edhe nëpër banka që operojnë në Kosovë.
E ekonomistit Vokrri rekomandon që Trusti t’i bëjë me kujdes investimet, duke e marrë parasysh situatën e paqëndrueshme ekonomike dhe gjeopolitike.
“Duhet me kujdes që të bëhet diversifikimi i portofolit në mënyrë që edhe të sigurojmë kthim relativisht të mirë, por edhe menaxhim më të lehtë të riskut që mund të vijë nga luhatjet në tregje. Kështu që, kombinimi në investim brenda, por edhe në tregjet jashtë unë besoj që është i duhuri, por gjithsesi duhet pasur shumë kujdes ku investohet”, ka deklaruar ai.