Ekonomi

Ngrihen dyshime për 20 milionë euro transaksione të parapara mes “Devollit” dhe “Kujtesës”

Autoriteti i Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka procedurë hetimore ndaj ndërmarrjeve “Devolli Corporation Sh.p.k.” dhe “Kujtesa Net Sh.p.k.” për shitblerjen e aksioneve në treg. Burime të KOHËS thanë se vlera e transaksioneve të parapara mes këtyre dy kompanive është 20 milionë euro

Një hetim i nisur në nëntorin e 2022-s nga Autoriteti i Konkurrencës në lidhje me shitblerjen e bizneseve që lidhen me operatorët kabllorë ka nxjerrë dyshime, pas të cilave ka nisur hetime në kompaninë “Devolli Corporation”. Ky autoritet ka njoftuar se hetimet ndaj kompanisë i ka zgjeruar. Fillimisht po hetohej marrëdhënia kontraktuale mes kompanisë “Kujtesa” dhe “Artmotion”.

Megjithatë, siç ka mësuar KOHA, gjatë hetimit ky institucion ka mbledhur informata, që tregojnë se ka pasur transaksione të parapara në vlerë të 20 milionë eurove nga kompania “Devolli” për kompaninë “Kujtesa”.

Në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës nuk jepen detaje. Aty tregohet vetëm dyshimi bazë.

“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka filluar procedurën hetimore ndaj dy ndërmarrjeve, ‘Devolli Corporation Sh.p.k.’ dhe ‘Kujtesa Net Sh.p.k.’, për dyshimet e arsyeshme se ato kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës pa përmbushur detyrimin ligjor për njoftimin e përqendrimit”, thuhet në njoftim.

Konkluzioni për fillimin e kësaj procedure hetimore është shpallur dy ditë më parë.

“Sipas informatave të marra gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit nga Autoriteti i Konkurrencës, mbi dyshimet e bazuara se kanë realizuar transaksione të aksioneve në tregun e telekomunikimeve dhe kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, Autoriteti ka vlerësuar se ndërmarrjet në fjalë, ‘Devolli Corporation Sh.p.k.’ dhe ‘Kujtesa Net Sh.p.k.’ kanë bërë shitblerjen e aksioneve pa paraqitur njoftimin e përqendrimit përkatës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ka bërë të ditur Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës.

“Devolli Corporation Sh.p.k.” dhe “Kujtesa Net Sh.p.k.” nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS përkitazi me përfundimet e nxjerra nga Autoriteti i Konkurrencës.

E ky institucion ka theksuar se ka nisur hetimin për shkak të dyshimeve për transaksione të paligjshme mes kompanive e për praktika të bashkërenduara.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, një kompani para blerjes së aksioneve të kompanisë në fushën e njëjtë duhet të njoftojë Autoritetin e Konkurrencës dhe të kërkojë aprovim për këtë.