Nënshkruhet kontrata ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe konsorciumit fitues “Orllati”, në ankandin e parë solar të Kosovës për centralin FV prej 100 MW në Kramovik.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa ka theksuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe tranzicionin energjetik, ka thënë se me këtë projekt Kosova po dëshmon se po bëhet një mjedis i favorshëm në investimet e sektorit të energjisë.
"Ky ankand do të jetë vetëm i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë në të ardhmen. Kosova po dëshmon që po bëhet një mjedis i favorshëm në investimet e sektorit të energjisë, dhe jo vetëm. E gjithë kjo është në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që ndikon edhe në përmirësimin e ambientit", tha Rizvanolli.
Në këtë drejtim, Rizvanolli ka thënë se kapacitetet e thëngjillit do të mbetën në fuqi, mirëpo do të zvogëlohen gradualisht.
"Siç kemi paraparë në strategjinë tonë të energjisë ne kemi faqe ambicioze sa i përket burimeve të ripertrishme, ndërsa kapacitetet tona të thëngjillit do të mbetëm në funksion edhe për një kohë, po qëllimi është zvogëlimi gradual i përdorimit të thëngjillit në të mirë të ambientit. E ardhmja e energjisë në Kosovë dhe qytetarëve do të jetë më e pastër", ka shtuar Rizvanolli.
Në anën tjetër drejtori i “Groupe Orllati”, Avni Orllati ka thënë se përparësitë nga ky projekt janë të shumta.
"Sot po hedhim një hap të ri drejt tranzicionit energjetik të Kosovës. Kjo ngjarje shënon një hap vendimtar në angazhimin tonë për një të ardhme më të qëndrueshme. Përparësitë janë të shumta, përveç prodhimit do të nxisë edhe vende të punës dhe do të stimulojë ekonominë", tha ai. / KP