Ekonomi

Murati: Kosova me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë

Hekuran Murati ne konference per media (Foto: Alban Bujari)

Hekuran Murati

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kosova pritet të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë për vitin 2025, sipas projeksioneve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në një postim në rrjete sociale të enjten, Murati theksoi se ky vlerësim pozitiv vjen pas përmbylljes së suksesshme të një programi dyvjeçar reformash të dakorduara me FMN-në.

Ai ka thënë se gjatë muajit të kaluar ka pritur në Prishtinë dy delegacione të rëndësishme ndërkombëtare, zv. presidentin e Bankës Botërore, Akihiko Nishio, dhe misionin e FMN-së të udhëhequr nga David Amaglobelli.

Sipas ministrit në detyrë, të dyja institucionet kanë përgëzuar Kosovën për performancën ekonomike dhe për maturinë fiskale që ka treguar në vitet e fundit.

“Rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por herët a vonë do të vërehen”, u shpreh Murati, duke shtuar se Kosova ende nuk e ka arritur potencialin e plotë, por përkundër sfidave do të vazhdojë drejt progresit.