Kundërshti mbi mënyrën se si Dogana e trajton vlerësimin e mallrave kanë shprehur përfaqësues të bizneseve. Sipas tyre, edhe kur i dorëzojnë dokumentet që e dëshmojnë çmimin real të blerjes, Dogana shpesh e rivlerëson, duke ndikuar në rritjen e kostove edhe për konsumatorët
Përfaqësues ligjorë të bizneseve dhe të qytetarëve që blejnë produkte nga jashtë janë ankuar për praktikat e rivlerësimit të mallrave nga Dogana e Kosovës, duke pretenduar se përballen me rritje artificiale të tatimeve edhe kur e paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për të dëshmuar vlerën e transaksionit.
Avokati Florin Lata ka thënë se problemi kryesor qëndron te moszbatimi i saktë i dispozitave të Kodit Doganor.
“Në momentin që të rivlerësohet malli ka efekt në rritjen e tatimit apo akcizës, varësisht nëse është mall që ka akcizë apo jo. Pra, problemi kryesor qëndron te moszbatimi i saktë i dispozitave të Kodit Doganor dhe kjo shkakton shpeshherë rritje artificiale të vlerës së mallit që përkthehet në rritje të tatimit dhe rritjen e çmimeve për konsumatorin final”, ka theksuar ai.
Lata ka përmendur një shembull ku mallra të dorës së dytë Dogana i ka rivlerësuar sipas çmimit të shitjes me pakicë, pavarësisht gjendjes së tyre.
“Ka qenë ‘outlet’, mallra që nuk janë shitur me vite me radhë dhe ato janë blerë me kilogram. Dogana i ka gjetur etiketat që kanë qenë në produkte dhe ua ka caktuar vlerën sipas shitjes me pakicë për një produkt që nuk është shitur”, është shprehur ai.
Sipas interpretimit që avokati Lata i ka bërë ligjit, metoda e parë që duhet të aplikohet është vlera reale e transaksionit dhe vetëm nëse kjo nuk mund të dëshmohet nëpërmjet dokumentacionit, mund të përdoren metoda të tjera të vlerësimit, siç është krahasimi me mallra identike.
Në Doganë kanë thënë se në mbi 97 për qind të rasteve pranohet vlera e deklaruar nga importuesit.
“Deri më 31 dhjetor 2024 janë regjistruar 438 raste ankese në lidhje me rivlerësimin. Nga këto, rreth 48% (afërsisht 210 raste) janë aprovuar. Në krahasim me 44,384 deklarata të rivlerësuara për 2024, përqindja e ankesave të aprovuara është shumë e vogël, rreth 0.47%. Kjo tregon se edhe pse ka një rritje të dukshme të rasteve të rivlerësimit, ndikimi në numrin total të deklaratave mbetet minimal”, kanë thënë në Doganë.
Më 4 nëntor ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar vendimin për emërimin e anëtarëve të trupës për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të nxjerra nga Administrata Tatimore (ATK) dhe nga Dogana.
Sipas të dhënave të kësaj Ministrie, gjatë janarit dhe shkurtit janë pranuar 190 ankesa kundër Doganës, 180 prej të cilave ndërlidhen me rivlerësimin e mallrave. E gjatë dy muajve të fundit të vitit të shkuar janë aprovuar thuajse gjysma e ankesave ndaj Doganës.
“Gjithsej deri më 31 dhjetor 2024 kanë qenë 438 raste, ku mbi 90% e rasteve kanë të bëjnë me rivlerësim, e ku më së shumti ankesa ka pasur lidhur me rivlerësimin e veturave. Rreth 48% të ankesave të shqyrtuara nga Bordi i Ankesave janë aprovuar, ndërsa 46% janë refuzuar. Pjesa tjetër janë kthyer në rishqyrtim apo hedhur poshtë”, kanë bërë të ditur në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Në Doganë, por edhe në Ministri kanë thënë që shumica e ankesave janë ndaj rivlerësimit të automjeteve, kryesisht atyre që janë importuar nga Koreja Jugore.