Për pesë vjet, depozitat e qytetarëve në bankat e Kosovës janë rritur me gati 3 miliardë euro. Ekspertët e ekonomisë thonë se ky trend është rezultat i mungesës së alternativave për investim dhe i pasigurisë ekonomike. Ndërkohë, një pjesë e madhe e kursimeve, sipas tyre, vjen nga remitencat, të cilat mbeten të cenueshme ndaj krizave të jashtme
Vlera e depozitave të qytetarëve në bankat komerciale të Kosovës ka shënuar rritje të ndjeshme prej afro 3 miliardë euro nga janari i vitit 2020.
Sipas të dhënave të sistemit financiar që publikohen çdo muaj nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), depozitat që pesë vite më parë kapnin vlerën prej 3.9 miliardë euro, tani kanë arritur në 6.8 miliardë euro.
Profesori i ekonomisë, Emanuel Bajra, thotë se një ndër arsyet kryesore të kësaj rritjeje është mungesa e alternativave të tjera për investim në Kosovë.
“Depozituesi kosovar në fakt nuk ka alternativa të tjera. Nuk kemi një bursë të Kosovës ku për shembull disa investues ose depozitues duan ta diversifikojnë ose rrisin riskun e tyre, të investojnë në stoqe ose bursa. Ka një komunitet i vogël që investon nëpërmjet bankave, nëpërmjet shfrytëzimit të infrastrukturës bankare në stoqet apo tregjet jashtë vendi por është komunitet shumë i vogël”, ka thënë Bajra.
Sipas tij, një treg më i zhvilluar aksionesh dhe investimesh do të mundësonte përfitime më të mëdha për qytetarët.
“Në vend se t’i depozitoni, për shembull, 5 mijë euro në bankë, këto mjete mund të investohen në aksionet e një kompanie dhe pas dy apo tre vjetësh të kthehen në 10 mijë euro”, ka theksuar Bajra.
Edhe profesori tjetër i ekonomisë, Sead Ujkani, thekson se rritja e depozitave është rezultat i mungesës së alternativave investuese, por shton se një faktor tjetër është pasiguria ekonomike.
“Në parim rritja e depozitave në bankat komerciale tregon një besim të qytetarëve ndaj institucioneve dhe për një stabilitet të sektorit bankar. Megjithatë, në rastin tonë duhen analizuar edhe faktorët që eventualisht janë duke e nxitur këtë rritje të depozitave, konsideroj që ekziston një lloj pasigurie te qytetarët dhe mungesë e alternativave për të realizuar investime”, ka deklaruar Ujkani.
Nga 6.8 miliardë euro depozita, ekonomitë familjare mbajnë pjesën më të madhe me 4.5 miliardë euro, të ndjekura nga korporatat jofinanciare me 1.4 miliard euro dhe korporatat financiare me 400 milionë euro.
Sipas profesorit Ujkani një pjesë e madhe e këtyre depozitave vjen nga remitencat, të cilat mund të jenë të cenueshme në rast të krizave ekonomike në vendet prej nga vijnë.
“Këto që janë nga ekonomitë familjare kryesisht janë edhe si rrjedhojë e remitencave, të dërgesave nga bashkatdhetarët që janë duke jetuar në vendet evropiane dhe natyrisht kjo nuk tregon stabilitet. Në këtë situatë, çdo efekt negativ që mund të ndodhë në vendet prej ku dërgohen këto mjete mund të ketë efekt edhe tek ne dhe mund të jenë shumë lehtë të cenueshme përderisa nuk janë duke u shfrytëzuar në mënyrë produktive”, ka thënë ai.
Sipas BQK-së, normat e interesit në depozita dhe kredi janë në përputhje me trendet e rajonit, me një diferencë prej 3.15% midis kredive dhe depozitave.
“Normat e kredive janë afërisht në linje edhe me vendet e rajonit, si dhe reflektojnë koston e fondeve dhe mënyrën e operimit te sektorit bankar. Norma e ulët e kredive joperformuese, ka mundësuar rritjen e kreditimit në norma dy shifrore, duke mbështetur ekonominë, sikur ekonomitë familjare ashtu edhe biznesit. BQK në vazhdimësi përmes instrumenteve rregullatorë promovon konkurrencën, financimin me kushte të favorshme si dhe nxit gjithëpërfshirjen financiare me kosto të përballueshme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për KOHËN.
Sipas të dhënave të BQK-së, norma mesatare e kredive të reja është 6.0%, ndërsa norma mesatare e depozitave është 3.0%. Ekspertët theksojnë se për të shmangur varësinë e tepruar nga depozitat bankare dhe për të rritur zhvillimin ekonomik, Kosova duhet të krijojë mekanizma që stimulojnë investimet e qytetarëve në fusha më produktive.