Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për Programin e Bashkëpunimin Ndërkufitar IPA lll për vitet 2021-2027.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se kjo marrëveshje u mundëson vendeve që të përftojnë përkrahje nga Bashkimi Evropian me një shumë prej 8.4 milionë euro.
“Marrëveshja i mundëson Kosovës dhe Malit të zi të përfitojnë përkrahje nga BE-ja për bashkëpunim ndërkufitar në një shumë prej 8. 4 milionë euro. Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt BE-së, si dhe zhvillimi social dhe ekonomik i zonave ndërkufitare, diçka që ne si qeveri e promovojmë në vazhdimësi kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me vendet fqinje. Në arritjen e këtij qëllimi, fokusi dhe prioritetet tematike të përzgjedhura do të jenë: punësimi dhe mobiliteti i fuqisë punëtore përfshirë atë sociale dhe kulturore me një proporcion prej 40 për qind të fondit. Turizmi dhe trashëgimia kulturore dhe natyrore me rreth 50 për qind të mjeteve të fondit dhe tre promovimi i qeverisjes lokale dhe rajonale me diku 10 për qind të fondeve të alokuara. Në mënyrë që të sigurohemi për zbatim të suksesshëm dhe të përbashkët të këtij programi është planifikuar themelimi i një taskforce të përbashkët me zyre kryesore territorin e Malit të Zi apo në Podgoricë dhe një zyre në Kosovë apo Prishtinë. Taskforca e përbashkët do e mbikëqyr menaxhimin e përditshëm të programit dhe do t’i raportojë strukturave operative dhe komitetit të përbashkët monitorues”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet mundësia që të gjenerohen të ardhura shtesë.
“Ky bashkëpunim dhe nxitja e këtyre projekteve mendoj që ka impakt shumë të madh te banorët e këtyre zonave ndërkufitare”, është shprehur ai.
Bislimi ka shtuar se do të donte që një marrëveshje të tillë të arrihej edhe me Serbinë për shkak të qytetarëve, por për momentin mungon gatishmëria e Serbisë.
Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviq, ka thënë se kanë pasur një takim të rëndësishëm.
Ajo ka thënë se me këtë program deri tani janë financuar mbi 10 milionë euro.
Gorçeviq ka thënë se Mali i Zi është lider në rajon kur bëhet fjalë për integrime evropiane.
LEXO EDHE: