Premtimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për rritjen e koeficientit të pagave në 150 po konsiderohet premtim parazgjedhor për mbledhjen e votave. Ekonomistët thonë se edhe në rast të mosrealizimit të këtij premtimi, kjo do të ndikonte në lëvizje të popullatës drejt vendeve evropiane
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ripërsëritur zotimin e tij që koeficientin e pagave do ta rrisë në 150 nga 110 sa është aktualisht.
Mirëpo ky zotim i Abdixhikut po konsiderohet premtim parazgjedhor nga ekonomistët.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, tha se me këso premtimesh qytetarët janë mësuar, meqë, sipas tij, edhe Qeveria aktuale ka bërë premtime që nuk i ka realizuar.
“Tani duhet ta kuptojnë qytetarët që jemi në parafushatë dhe është caktuar data e zgjedhjeve dhe që nga partia që është në pushtet, por edhe nga partitë opozitare duhet të merren me sportivitet, diçka normale në kuadër të fushatës, këto deklarata janë subjektive, janë fushatë dëshirash, por sa do të realizohen, mbetet të shihet, sepse edhe Qeveria aktuale ka dhënë këso lloj premtimesh në raport me mirëqenien e qytetarit. Nuk mund të kemi asi lloj kërcimi ekonomik, përderisa dihet stadi ynë i zhvillimit, si vend dhe si shtet”, ka thënë Kadrijaj.
Rritja e koeficientit të pagave nëse ndodh siç po premtohet, për njohësin e çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi ,do të ndikojë që punëtorët në sektorin privat të kërkojnë rritje pagash.
Sipas Qerimit, mosrealizimi i këtij premtimi do të ndikojë në lëvizje të popullatës në drejtim të vendeve evropiane.
“Një efekt që do të jetë negativ në aspektin biznesor është se edhe sektori privat do të ketë presion për rritje të pagave të punëtorëve në sektorin privat, po në këtë presion do të jetë kjo rritja e pagave, por në anën tjetër, nëse nuk kemi një rritje të pagave, nëse nuk kemi një pengim të migrimit do të ketë lëvizje të popullatës, lëvizje të punëtorëve, prapë do të kemi një pjesë të punëtorëve që do të detyrojnë biznesin t’i rrisë pagat”, ka theksuar Qerimi.
Prej shpalljes së datës së zgjedhjeve, partitë politike kanë filluar parafushatën, duke e akuzuar pushtetin për dështime e duke bërë premtime siç ishte ajo që paga mesatare në vend do të bëhet një mijë euro.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.