Projeksioni i BB-së

Ekonomistët: Rritja ekonomike nuk përcillet me zhvillim ekonomik

Njohës të ekonomisë kanë vlerësuar se projeksionet e Bankës Botërore që flasin për rritjen ekonomike në Kosovë, nuk thonë shumë edhe për zhvillimin ekonomik. Sipas tyre, zhvillimi ekonomik është sfiduar nga rënia e fuqisë blerëse dhe rritja e varfërisë për shkak të inflacionit, thellimi i mëtejmë i deficitit tregtar, e ulja e shkallës së papunësisë si pasojë më shumë e emigrimit sesa e punësimit

Dinamika dhe niveli i zhvillimit ekonomik në Kosovë nuk përkon me projeksionet e fundit të Bankës Botërore, vlerësojnë njohës të ekonomisë. 

Ekonomisti Edison Jakurti thotë se rritje prej 3.7 për qind e projektuar për sivjet dhe 3.9 për qind për vitin e ardhshëm, nuk janë përcaktuese për rritjen reale që ndodh në realitet. 

Sipas tij, edhe në të kaluarën zhvillimi ekonomik ka qenë shumë prapa rritjes ekonomike.

“Përkundër kësaj statistike me të cilën mund të mburremi në diskurs, zhvillimi ekonomik është sfiduar nga rënia e fuqisë blerëse dhe rritja e varfërisë për shkak të inflacionit, thellimi i mëtejmë i deficitit tregtar, ulja e shkallës së papunësisë si pasojë më shumë e emigrimit sesa e punësimit, mungesa e ndryshimeve në politikat fiskale dhe rregullimeve aq të nevojshme në sistemin financiar, etj. Andaj, pyetja mbetet e njëjtë: si të zhvillohemi nga kjo rritje? Se për t’u rritur, jemi rritur çdo vit dhe pothuajse çdoherë më shumë se të tjerë në rajon”, ka thënë Jakurti.

Ndërkaq, ekonomisti Sejdi Rexhepi thotë se shpenzimet për konsum dhe investime private kanë qenë promotor i zhvillimit në vitet e kaluara të qeverisjes aktuale, teksa kanë munguar ato kapitale.
Sipas tij, nëse Qeveria vazhdon ta mbajë të mbyllur kuletën, nuk do të shënohet progres i madh as sivjet. 

“Defektet që kanë ekzistuar në të kaluarën në harxhimin e këtyre fondeve sivjet, këtë vit dhe vitin që vjen do të duhej të tejkaloheshin sepse nëse vazhdohet do të ishte një hendikep i madh dhe një papërgjegjësi e madhe sepse fondet të cilat janë të projektuar mbesin të pashfrytëzuar dhe humbin vlerë dhe humb edhe shoqëria, e ekonomia e vendit”, ka thënë Rexhepi.

Mbështetja financiare nga diaspora është një prej faktorëve që pritet të ndihmojë Kosovën në rritje ekonomike, thotë raporti i Bankës Botërore.

Edhe sipas Rexhepit, remitencat vazhdojnë të jenë nxitëse të zhvillimit ekonomik në vend. Por, ai thotë se mungesa e gatishmërisë për nivelim të pagave me shkallën e inflacionit është pengesë e dinamikës së rritjes ekonomike.

“Sikur të ndodhte që pagat të niveloheshin edhe në të kaluarën, se është dashur në vitin e kaluar të ndodhë kjo, por edhe në këtë vit të nivelohen për nivelin e inflacionit dhe t’i kthehet pagës vlera reale që e ka pasur para 3 viteve, sigurisht që do të kishim një shkallë shumë më të shpejtë të rritjes ekonomike, sigurisht për disa për qind, sepse në atë rast do të rritej edhe konsumi, edhe besimi në qëndrueshmërinë financiare të familjeve”, ka theksuar Rexhepi.

Raporti i publikuar dy ditë më parë nga Banka Botërore, ka nxjerrë Kosovën të parën në rajon për nga rritja ekonomike që do të shënojë. Pas Kosovës, rritja më e madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitet 2024 dhe 2025 është parashikuar të ndodhë në Mal të Zi dhe në Serbi.