Edhe pse Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës proklamojnë partneritet të ngushtë politik, raportet ekonomike mes dy vendeve mbesin të pazhvilluara në disa aspekte. Kosova ende ballafaqohet me sfida në shfrytëzimin e mundësive për rritjen e tregtisë dhe investimeve nga SHBA-ja. Kjo është evidentuar edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku theksohet se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve nuk janë institucionalizuar përmes marrëveshjeve bilaterale
Nuk është vetëm taksa prej 10 për qind, e vendosur së fundmi nga administrata e presidentit Donald Trump, ajo që përbën shqetësim në raportet ekonomike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Mungesa e marrëveshjeve bilaterale për investimet dhe heqja e tatimit të dyfishtë ka bërë që mundësitë për të përfituar nga programet e preferencave tregtare të jenë të kufizuara. Kjo është evidentuar edhe në raportin e fundit të Departamenti Amerikan të Shtetit, i cili flet për klimën investive në Kosovë.
Aty evidentohet se Kosova ka një normë të sheshtë të tatimit në të ardhurat e korporatave prej 10 për qind. Raporti thekson po ashtu se Kosova nuk ka një marrëveshje bilaterale për investime dhe as marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë me Shtetet e Bashkuara.
“Kosova nuk ka marrëveshje bilaterale për investime apo tatimin e dyfishtë me Shtetet e Bashkuara. Trajtimi pa doganë i Kosovës i eksporteve të caktuara në Shtetet e Bashkuara sipas Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP) skadoi në dhjetor 2020. Deri më sot Kongresi i SHBA-së nuk e ka riautorizuar programin GSP”, shkruan në raportin e DASH-it për vitin 2024.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se nga programi i cili ka skaduar qe pesë vjet kanë përfituar mbi 300 mijë produkte nga Kosova.
“Kjo flet për mjedisin afarist në përgjithësi. Fillimi po tregon veç për tatimin në të ardhurat e korporatave, të cilit i referohemi shkurt si tatimi në fitim. Në këtë rast ka qëlluar të jetë ekuivalent me tarifën doganore prej 10 për qind. Por, nuk ka ndonjë ndërlidhje me vendimin e Administratës amerikane. Vendimi është reciprok ndaj tarifës doganore, që nuk përmendet në këtë pjesë të raportit. Pjesa tjetër tregon për përfitimet që më shumë se 3.500 produkte nga Kosova kanë përfituar në mënyrë të njëanshme preferenciale gjatë eksportit për në SHBA, në kuadër të GSP-se që ka skaduar më 31 dhjetor 2020”, ka thënë Zeka.
Sipas tij, për aq sa ka qenë në fuqi sistemi i përgjithësuar i preferencave i njohur në anglisht me shkurtesën GSP, e që i mundësonte Kosovës të eksportonte produkte pa iu nënshtruar detyrimeve doganore, rregullat e origjinës kanë qenë shumë të lehta.
“Domethënë që një produkt të fitojë origjinën, në këtë rast të Kosovës nuk ka qenë shumë të ngarkuara edhe për aq kohë sa të njëjtat rregulla do të vazhdonin të vlejnë, atëherë Kosova mund të bëhet atraktive për tërheqjen e këtyre investimeve, të cilat do të fokusohen në sektorët prodhues ose në industritë prodhuese në përgjithësi”, ka potencuar ai.
Kosova ka nënshkruar traktate për taksimin e dyfishtë me Shqipërinë, Austrinë, Kroacinë, Hungarinë, Irlandën, Letoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Holandën, Maqedoninë e Veriut, Arabinë Saudite, Slloveninë, Zvicrën, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkaq janë ende në fuqi Traktatet e vjetra me Belgjikën, Finlandën dhe Gjermaninë nga koha e ish-Jugosllavisë.
Kosova ka nënshkruar marrëveshje për tregti dhe bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, ka një marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë, si dhe ka filluar procesin e anëtarësimit në Asociacionin Evropian për Tregti të Lirë.
Pas tre vjetësh suficiti në raportin tregtar me SHBA-në, Kosova ka përjetuar deficit në 2024-n. Kjo për shkak të ndalimit që u është bërë dyshekëve të importuar nga Kosova. E, në vitin e shkuar nga eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara vendin e parë e zënë fustanet dhe kapin vlerën e 11.4 milionë eurove.
Ky prodhim por edhe të tjerë me origjinë nga Kosova do të tarifohen me 10 për qind, pas vendimit që mori javën e shkuar presidenti Trump.
Vitin e shkuar Kosova eksportoi mallra në vlerë 39 milionë euro drejt Shteteve të Bashkuara. E importet nga SHBA-ja arritën pikën më të lartë deri tash, 106.5 milionë euro.
Marrë në total, rreth 3.97 për qind e eksporteve të Kosovës gjatë 2024-s kanë shkuar në SHBA.
Paketa e masave tregtare që vendosi së fundi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përfshin të gjitha shtetet dhe administrata amerikane e ka quajtur këtë masë reciprociteti.
Kosova aplikon taksë doganore 10 për qind ndaj produkteve të SHBA-së, e cila është e ngjashme për të gjitha vendet me të cilat nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja.
Kjo kërkesë, sipas Osmanit, u bë për të dërguar mesazhin se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.