Kryetari i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Emanuel Bajra, ka deklaruar se rreth tre trilionë dollarë janë tërhequr nga stoqet amerikane dhe janë riinvestuar në tregjet evropiane, përkundër pasigurisë që shkakton lufta në kontinent.
Në “Konfront” të KTV-së të martën, Bajra theksoi se kjo zhvendosje e kapitalit global ndodhi si pasojë e lëvizjeve politike dhe ekonomike të muajve të fundit, veçanërisht me kthimin në skenë të Donald Trumpit.
“Në dy muajt e fundit, me ardhjen e Trumpit, shenjat e para u dhanë me kriptovaluta dhe ‘tradhtinë’ që i bëri Trumpi botës së kriptos dhe lëvizi drejt stoqeve, bursës, ku jemi sot”, deklaroi ai.
Sipas Bajrës, investitorët kanë filluar të kërkojnë stabilitet dhe potencial rritjeje në tregjet evropiane, pavarësisht sfidave të sigurisë dhe klimës së brishtë politike. Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si është raportuar inflacioni në Evropë, duke thënë se është shtypur në mënyrë artificiale nga Banka Qendrore Evropiane.
“Inflacioni është duke u rikthyer, pavarësisht se ka pasur shtypje artificiale... Në terma nominale dhe reale, inflacioni ka qenë më i lartë sesa ka qenë i njoftuar”, shtoi Bajra.
Këto zhvillime, sipas tij, dëshmojnë se kapitali global reagon më shumë ndaj mundësive të fitimit sesa ndaj rrezikut, dhe se Evropa po shihet si terren i favorshëm për investime, edhe në kushte të pasigurta.
Aliu: Para 2 vjetësh, vlera e Teslas në treg ishte 1400 herë më e lartë sesa ajo reale
Ekonomisti Florin Aliu ka shpjeguar dallimin mes çmimit të aksioneve dhe çmimit të produktit real.
Ndër tjerash, ai ka përmendur Teslan e cila në treg ishte me vlerë 1400 herë më e lartë sesa të hyrat e kompanisë.
“Çka nënkupton çmimi i aksioneve dhe çka çmimi i produktit real. Çmimi i produktit real, për shembull çmimi i telefonit e blen e krahason me çmimet e telefonave të tjerë. Çmimi i aksioneve kupton pritjet për ta, reflekton atë çka ndodh brenda kompanisë. A është kjo e vërtetë gjithmonë, jo nuk është. Sepse çdo çmim ka një sasi të spekulimit. Për shembull të produktet është kosto që e blen produktin dhe çmimin që e shet. Për shembull, Tesla për një periudhë çmimi në raport me fitimet e kompanisë ka qenë afër 1400, para 2-3 vjete. Domethënë çmimi në treg i asaj kompanie ka qenë 1400 herë më i lartë sesa të hyrat. Kjo nënkupton se nuk është çmimi real i kompanisë, por janë pritjet që i kanë njerëzit për to”, ka shpjeguar ai në “Konfront”.
Bajra: Vjet Trusti i mori 248 milionë euro kthim investim
Emanuel Bajra, kryetar i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, ka thënë se situata në tregjet e aksioneve po monitorohet dhe se çdo entitet është prekur pas tarifave të SHBA-së, por se sipas tij, Kosova nuk është prekur në atë masë sa të ketë panik.
Ai ka theksuar se pavarësisht trendit pozitiv, rëniet janë pjesë e sistemit.
“Vjet ne i morëm 248 milionë euro kthim investim, vetëm vitin e kaluar. Edhe kur kemi performancë krejt kohën pozitive siç e kishim vitin e kaluar, rëniet janë pjesë e ekosistemit. Sepse një është ligji, e ndjekim ligjin, dhe është natyra e entitetit, karakteri i Fondit Pensional të Kosovës është që paraja e kontributdhënësit kosovar të mos rrijë aty të mos fitojë diçka, por të investohet për të ardhmen. Lëkundjet e sotme, të nesërme, lëkundjet e kaluara dhe pas një viti nuk përbëjnë ndonjë metriks që e efekton kontribuuesin që do të pensionohet 10 vjetët e ardhshme”, ka thënë ai në “Konfront”.