Votat në këto kuti, qytetarë nga gjithë Kosova i hodhën të dielën e 9 shkurtit.
Duke i plotësuar fletëvotimet brenda tyre, ata shprehën preferencat për drejtimin e ardhshëm të shtetit dhe për përfaqësimin e subjekteve politike në Kuvend.
Që prej orës 7 të mëngjesit, qendrat e votimit qenë për 12 orë resht adresë e rreth 800 mijë votuesve që pritën radhë, diku më shumë e diku më pak, për ta shfrytëzuar të drejtën e votës. Të duruar dhe duke shkëmbyer herë-herë edhe biseda mes vete, ata e kaluan edhe njëherë procesin zgjedhor pa telash.
E nga zgjedhjet, pritshmëritë kryesisht nuk i patën të larta por për to nuk hezituan të flisnin.
“Ishalla bohet mirë, ma mirë. Kush të fiton, çka me bo, ja urojmë atij që fiton. Pak për biznese me na ndihmu, pak. Me na i jep kreditat më të ulta për me u zhvillu dhe punësu ma tepër njerëzit. Qe kjo është ma e vlefshme për neve, bizneseve”, ka deklaruar Zef Demaj.
“Besoj që po, presim diçka më mirë. Të ketë vende pune, fabrika në përgjithësi vend punime. Ku ka vend punime besoj që shkon gjithçka në rregull”, është shprehur tutje Diogard Hajdari.
Por mbarëvajtjen e procesit që e nisën qytetarët nuk e vazhduan institucionet. Derisa të gjithë po prisnin rezultate, institucionit kryesor përgjegjës për procesin i dështoi platforma elektronike.
Teksa votat nëpër vendvotime po numëroheshin, rezultatet e tyre u errësuan. Pak para mesnatës së natës së zgjedhjeve, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e pranoi se sistemi dështoi.
“Gjithçka ishte gati t’i transmetojmë rezultatet preliminare, edhe në të kaluarën aplikacioni nuk ka funksionuar, nuk po arrijmë t’i transmetojmë të dhënat përmes platformës. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në ora 3 apo 4 të mëngjesit”, ka deklaruar Kreshnik Radoniqi.
Telashet me sistemin elektronik të regjistrimit të rezultateve u tejkaluan deri në një shkallë të nesërmen, porse problemet për KQZ-në nuk u ndalën.
Pas atyre për parti, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nuk nisi mëngjesin e së hënës, kur do të duhej.
Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të zhvillohej proces, nuk qenë gati. Procesi filloi tek pasditen e së martës, me rreth 33 orë vonesë. Por jo në të gjitha komunat përnjëherë. Fillimisht nisi në vetëm katër – në Prishtinë, Lipjan, Obiliq e Partesh.
Me kalimin e ditëve, numërimi filloi edhe në komuna tjera, për t’u realizuar në të 38 komunat, tek të premten.
Nëpër salla të mëdha, nga një në secilën komunë, u vendosën tavolina në të cilat do të numërimi do të bëhej për dy qëllime - si për votat e kandidatëve për deputetë ashtu edhe për verifikimin e atyre për subjektet politike.
Për herë të parë prej zgjedhjeve të para të mbajtura në Kosovën e pasluftës, në një proces të tillë janë përdorur edhe kamera, nëpërmjet të cilave është bërë vëzhgimi i numërimit të votës. Krahas kësaj, transparencë në këtë proces e është ofruar edhe përfaqësuesve të subjekteve politike.
Por i gjithë procesi, sikurse nisi edhe vazhdoi me telashe. Sistemi elektronik në vazhdimësi dilte nga funksionimi.
Për rrjedhojë, u shkaktuan vonesa të mëdha në ecurinë e numërimit të votave.
E këto vonesat, për dy ditë me radhë i arsyetuan nën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Natyrisht se meqenëse është një ndërmarrje jashtëzakonisht komplekse, sidomos edhe sa i përket aspekteve të organizimit të transparencës, natyrisht se është dashur edhe pak kohë por që nuk është ndonjë vonesë e madhe të fillimit të numërimit”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës i këtij institucioni.
“Funksionalizimi i qendrave të numërimit është mjaft kompleks, duke pasur parasysh qindra aktivitete, të cilat duhet të zhvillohen këtu para se të bëhet gati një qendër komunale e numërimit për të filluar procesin e numërimit të votave të kandidatëve dhe verifikimit të votave të subjekteve politike... Ajo çka është me rëndësi për KQZ-në nuk është vetëm shpejtësia për të dalë me rezultate përfundimtare, por saktësia, do të thotë që çdo votë të evidentohet me saktësi dhe që vullneti i votuesve të evidentohet”, ka thënë tutje ai.
As katër ditë pas zgjedhjeve, sqarime për telashet nuk ofroi kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Të enjten, ai për këtë çështje e takoi edhe presidenten, Vjosa Osmani, dhe i mblodhi anëtarët e Komisionit.
Për rreth një orë, anëtarët diskutuan për problemet dhe shprehën pakënaqësi për to. Fajin ia vënë aspekti elektronik e edhe mungesës së përgatitjes adekuate të zyrtarëve përgjegjës.
“Dua të ritheksoj, të hënën dhe të martën kemi bërë një ndërhyrje në sistem i cili ka ngritur sigurinë e platformës dhe tashmë është duke funksionuar. Tash gjithçka varet vetëm nëse ka rrjet ose jo, e që nuk është çështje e jona. Platforma tani pas asaj ndërhyrjeje ka sigurinë shumë më të lartë dhe është duke funksionuar”, ka thënë Radoniqi.
Mosfunksionimi i uebfaqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, për pasojë të së cilës rezultatet nuk u publikuan në kohë, bëri që të ngrihen dyshime për sulm a ndërhyrje.
Me rastin u morën edhe organet e sigurisë, raportin final të të cilave kryetari i KQZ-së Radoniqi tha se është duke e pritur.
“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë. Pa e marrë raportin nga ta, ne nuk do të japim asnjë informacion, se nuk i kemi. I kemi edhe ne disa dyshime tona por ato dyshime janë adresuar në Polici, Policia do ta japë raportin”, ka thënë ai.
E si zgjidhje për telashet, në KQZ thanë se e kanë numërimin manual të votave, sipas mënyrës së mëhershme.
“Nëse çdo gjë është në rregull, do të vazhdojmë, nëse do të kemi probleme në disa nga qendrat e numërimit, ne menjëherë do të fillojmë një procedurë tenderuese për printimin e disa formularëve të cilët janë të nevojshëm për numërimin e votave. Ajo do të marrë kohë maksimum 4-5 ditë dhe do t’i kemi formularët dhe do të vazhdojmë me mënyrën e vjetër”, u deklarua tutje ai.
E nëse gjithçka shkon sipas planit, Radoniqi tha se numërimi i votave të rregullta mund të zgjasë deri në dy javë ditë.
Teksa numërimi i votave të rregullta nisi e vazhdoi me telashe, ato të ardhura nga jashtë Kosovës filluan të vlerësohen.
“Çështja e vlerësimit të pakove me fletëvotime. Sipas vlerësimit të sekretariatit diku 10 ditë do t’i marrë vlerësimi i rreth 68 mijë zarfe të votimit që kemi pranu nga kutitë postare të KQZ-së”, ka deklaruar Besnik Buzhala, kryesues i sekretariatit të KQZ-së.
Derisa për votat që kanë siguruar kandidatët për deputetë duhet të pritet ende, rezultatet preliminare të subjekteve politike tashmë janë pothuajse të zbardhura.
Nga numërimi i pothuajse të gjitha vendvotimeve, më së shumti vota ka marrë Lëvizja Vetëvendosje - 40.84 për qind. Ajo pasohet nga Partia Demokratike me 22.05 për qind të votave, Lidhja Demokratike me 17.67 për qind, e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.45 për qind.
Ndonëse përqindjet nuk kanë figuruar kësisoj në ditën e zgjedhjeve dhe në orët e mëvonshme, partitë politike e pranuan rezultatin.
LVV-ja e shpalli e para fitoren teksa kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, u shpreh i bindur se do të arrijë ta formoj Qeverinë, pa pasur nevojë për partitë që janë aktualisht në opozitë.
“Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3, dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj, LVV fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë qeverinë e ardhshme”, ka thënë lideri i kësaj partie.
Rezultatin e kualifikoi si fitore për opozitën, kryetari i AAK-së e kandidati i koalicionit rreth kësaj partie, Ramush Haradinaj.
“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës... Jemi gëzuar që është krijuar mundësia me krijua qeverinë opozita dhe do të bashkëpunojmë me partitë opozitare”, u shpreh Haradinaj.
Humbjen në zgjedhje e pranoi kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Nëse populli s'më ka parë (si kryeministër) këtë radhë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës”.
E kur doli në sheshin e Prishtinës për ta festuar fitoren e LVV-së, kandidati për kryeministër i kësaj partie pati ofendime për kundërshtarët e tij politikë.
“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit...”, ka thënë Kurti.
Për këtë, një ditë më vonë Kurtit iu kundërpërgjigj kryetari i AAK-së, Haradinaj.
“Thënë të drejtën, ai epitet i shkon atij. Ma hajvan se një kryeministër që mas 4 vjete qeverisje ka tregu vica gjithë fushatën, s’ka pas një program konkret, s’ka të arritura asgjë. Fatkeqësisht ky është realiteti ynë.... ai që s’ka fitu. ai me dalë ashtu me fy e me bërtite, ai është veç realiteti ynë. Kemi të bëjmë me një njeri që në të vërtetë është hajvan. Po i hyjmë në hak, duke i thënë hajvan, ai është ma keq”.
Jo për fyerjet e Kurtit por për rezultatin e partisë së tij dhe të vetes, një ditë pas zgjedhjeve qytetarëve iu adresua edhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza.
“Ai kërkoi 500 mijë vota, por nuk i mori, nuk ia dhanë qytetarët. Sot shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë, qytetarët me vullnetin e tyre politik i kanë besuar opozitës, andaj në këto zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare”, ka deklaruar Hamza.
Harta e rezultateve, e përditësuar kohë pas kohe në platformën e KQZ-së, shpalos edhe përkrahjen që secila parti politike ka marrë nëpër komuna.
Sipas saj, LDK-ja që aktualisht e ka pushtetin lokal në 9 komuna, në zgjedhjet parlamentar të 9 shkurtit nuk ka dalë forcë e parë politike në asnjërën prej të 38 komunave.
Në Prishtinë, Viti, Pejë, Obiliq, Lipjan e Istog doli e dyta, pasi u mund nga LVV-ja, e në Junik u mund nga AAK-ja.
Ndërkaq, në Dragash dhe në Fushë-Kosovë, komunë kjo që asnjëherë nuk është udhëhequr nga ndonjë parti tjetër pos saj qysh nga paslufta, doli e treta, pas LVV-së e PDK-së.
E PDK-ja që drejton 8 komuna, në 2 prej tyre doli e para, në Skenderaj e Drenas, duke e ruajtur Drenicën si bastion të saj.
E para doli edhe në Klinë, komunë të cilën e udhëheq AAK-ja. Në Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik e Han të Elezit, doli e dyta pas Vetëvendosjes, e cila e mundi edhe në Mitrovicë, komunë të cilën e udhëheq vetë kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Ndërkaq AAK-ja, në koalicion me Nismën Socialdemokrate e para doli në tri komuna, Deçan, Junik e Malishevë.
AAK-ja e humbi mbështetjen si parti e parë në 4 komuna që i drejton. Në Gjakovë doli e dyta pas LVV-së. Në Klinë e treta pas PDK-së e LVV-së, në Rahovec pas LVV-së dhe PDK-së e në Suharekë pas LVV-së dhe LDK-së.
E, Vetëvendosja, përveç në komunat që i drejton - Gjilan, Podujevë, Shtime dhe Kamenicë - është mbështetur për qeverisjen qendrore si e para parti edhe në 17 komuna të tjera. 10 komuna i fitoi Lista Serbe e 1 Partia Demokratike Turke.
Komuna me më së shumti pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje është Prishtina me 55 për qind, e pas saj pjesëmarrja më e madhe është evidentuar kryesisht në komunat me shumicë serbe.
Lista Serbe është nga partitë që mori përqindjen më të madhe të mbështetjes nëpër komuna, mbi 89 për qind në njërën prej tyre – në Partesh.
E nga partitë shqiptare, PDK-ja shënoi përqindjen më të lartë në një komunë. Ajo siguroi 77 për qind të votave në Skenderaj.
Numërimin e votave, shpalljen dhe cerifikimin e rezultateve do ta pasojë nisja e një tjetër procesi - ai për formimin e institucioneve drejtuese: Kuvendit dhe Qeverisë.
Aktualisht, asnjëra prej forcave politike nuk i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë. Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja ka siguruar 47 ulëse në Kuvend, PDK-ja 25, LDK-ja 20 e AAK-ja 8. Nga 20 ulëset e mbetura prej 120 gjithsej, dhjetë janë të garantuara për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera pakicë. Për formimin e qeverisë, duhen së paku 61 deputetë.