COSMO

Rastet e pagjykuara të EULEX-it

Lëndë të krimeve të luftës, të krimit të organizuar e të kontrabandës janë lënë pa u trajtuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të paktën që prej vitit 2019. Këto raste në gjyqësor i njohin si rastet e EULEX-it, meqë shumica e kanë origjinën prej aktakuzave të ngritura nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, që e përmbylli mandatin për sistem gjyqësor e prokurorial në vitin 2018.  

Mostrajtimi i tyre prodhon pasoja për të akuzuarit, por edhe për viktimat e krimeve. E tek në fillim të 2024-tës këto lëndë u bartën përfundimisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Një prej rasteve që do t’i gjykojë kjo gjykatë është ajo e Lulzim Ademit. Person nën kërkim prej autoriteteve kosovare për krime lufte në fshatrat Broboniq, Shipol dhe në qytetin Mitrovicës. E gjykimi në mungesë lidhur me të nuk është mbajtur që nga koha e UNMIK-ut dhe pritet të fillojë së shpejti sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë – ashtu siç premton gjykata se do ta fillojë së shpejti edhe caktimin e seancave për 11 raste të tjera të krimeve të rënda që i përfaqëson Prokuroria Speciale.

Ademi kishte qenë në paraburgim e edhe i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte, përfshirë vrasjen e 12 shqiptarëve në dy fshatrat e Mitrovicës në periudhën prill-maj 1999 dhe një serbi në janar 1999.

Aktakuza iu ngrit në kohën e UNMIK-ut dhe ai mbajti paraburgim në Kosovë nga korrik 1999 - shkurt 2000, por ashtu si 20 persona të tjerë u arratisën nga paraburgimi në vitin 2000 duke ikur për në Serbi. E Ademi ka bërë edhe paraqitje publike në televizionin pro-pushtet të Serbisë, Happy, për herë të fundit para pesë muajsh. Në paraqitjet e tij në emisione televizive serbe ai e ka mohuar që ishte bërë pjesë e pjesëtarëve të milicisë apo MUP-it serbe gjatë luftës dhe ka relativizuar sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se po “çohet pluhur” dhe se grupi i armatosur ka shkuar në vend serb e në manastir e ku nuk duhej të shkonte Policia e Kosovës, por të negociohej me sulmuesit. Megjithëse dyshohet se është në Serbi, shkaku i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale gjykimi për të mund të mbahet, tregon Amer Alija, avokat dhe ekspert ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare (FDH).

“Më shumë se 20 vjet kanë pritur viktimat që të ngrihet aktakuzë për krime të luftës dhe aktakuzat e gatshme të qëndrojnë pranë gjykatave dhe të mos trajtohen nuk është shenjë pozitive dhe nuk është satisfaksion për viktimat. Ne e dimë që rasti i Studimes në të cilin janë vrarë rreth 100 civilë, sigurisht që të gjithë ata dëshmitarë të cilët një herë kanë dëshmuar ata ende presin që rasti i tyre të trajtohet dhe unë mendoj që edhe pse i vonuar ky vendim për transferim, mendoj që është i qëlluar dhe besoj që shumë shpejt Departamenti Special do t’i caktojë seancat dhe do të aktivizohen edhe këto raste pranë këtij departamenti”, tha Alija.

Alija thotë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka dilemë ligjore lidhur me formën si të procedohet rasti i Ademit: a të publikohet apo jo ftesa dhe aktakuza në gazetën zyrtare, kur i pandehuri që është arratisur nga paraburgimi ka qenë i njoftuar më herët me akuzat. Megjithatë, thotë se asnjëra nuk është gabim.

“Gjykimi në mungesë i ka parashikuar dy forma të trajtimit apo të gjykimit në mungesë, njëra kur i akuzuari është i njoftuar apo së paku ka marrë pjesë në seancën fillestare dhe atij i është lexuar aktakuza dhe i njëjti është deklaruar lidhur me aktakuzën dhe pastaj qoftë për arsye objektive apo i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë; gjykata duhet ta caktojë një seancë dëgjimore që t’i shqyrtojë arsyet se pse mungon dhe pastaj i njëjti mund të vazhdojë me procedimin apo gjykimin e këtyre rasteve. Opsioni tjetër ka qenë me ngritjen e aktakuzave në mungesë për të cilat duhet të plotësohen këto katër kushte të cilat i ka parashikuar Kodi i Procedurës Penale. Në rastin konkret të arratisurit kanë qenë të informuar me aktakuzën dhe sigurisht që gjykata duhet të caktojë një seancë dëgjimore dhe të njoftohet për se pse të njëjtit nuk janë paraqitur në gjykatë, por nuk do të jetë gabim edhe në rast se publikohet ftesa dhe aktakuza edhe një herë ndaj këtyre personave për arsye se do të shteren të gjitha mjetet që të akuzuarit të njoftohen që ndaj tyre do të fillojë së shpejti një proces gjyqësor i cili ka mbetur në gjysmë para 20 vitesh”, tha Alija.

Derisa Ademi dyshohet në Serbi, gjykime pritet të zhvillohen edhe për tri raste të Mitrovicës, me prani të të akuzuarve. Dy prej tyre janë Zoran Vukotiqin, tashmë i dënuar në të tria shkallët e gjyqësorit kosovar për dhunë seksuale si krim lufte. Vukotiqi i ka pasur tri raste në Mitrovicë, por Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë për KOHËN se për rastet që kanë ardhur së fundi janë bashkuar procedurat. E Avokati Nebojsha Vllajiq ka shprehur ankesa për vonesë të gjykimit.

“Gjykimi i Vukotiqit filloi në Mitrovicë në dhjetor të vitit 2016, kur ai u ekstradua nga Mali i Zi. Dhe u gjykua për dy vjet dhe ajo çështje u vendos në fillim të vitit 2018. Pas kësaj, ligji ndryshoi dhe gjithçka kaloi në Prishtinë. Sa i përket rastit nga Mitrovica, gjykata e shkallës së dytë në Prishtinë e ka konfirmuar pjesërisht aktgjykimin për Smrekonicën kurse atë për Studimen e ka kthyer në rigjykim. Një gjyq i tillë nuk është caktuar kurrë”, tha Vllajiq.

Për rastin “Vukotiq 1”, në janar 2019, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe lënda është kthyer në rigjykim në Mitrovicë lidhur me pikën 1 të aktakuzës, që përfshin krimet e luftës, si vrasje brutale, sjellje çnjerëzore, terror e plaçkitje ndaj karvanit të civilëve në Studime të Epërme e të Poshtme, mes datave 2 dhe 3 maj 1999. Për rastin “Vukotiq 2”, lënda është kthyer në tërësi në rigjykim nga Apeli në janar të vitit 2019. Në këtë rast, Zoran Vukotiq akuzohet për vrasjen e katër civilëve shqiptarë dhe keqtrajtimin e 18 civilëve shqiptarë të tjerë në Vushtrri më 5 maj 1999.

E që nga 2017-a ka qenë i bllokuar rasti “Vukotiq 3”, që ka të bëjë me vrasjen e Burim Mulit, 13-vjeçar.

Gjykimi i “Vukotiq 1” në akuzat për pjesëmarrje në masakrën e Studimes nuk është mbajtur dhe për këtë avokati Vllajiq e kritikon gjykatën. Sipas tij, stërzgjatja e gjykimit është e padrejtë edhe për të akuzuarin.

“Vukotiq është në paraburgim për më shumë se shtatë vjet. Ai është i qasshëm për gjykatën dhe nuk ka mundur t’i shmangej procedurës. Nuk ka asnjë afat apo gjykim që nuk i jam përgjigjur apo ku kam kërkuar shtyrje. Arsyeja e këtij problemi qëndron në faktin se gjykata në Kosovë është tepër e ngadaltë, dhe prokuroria punon edhe më ngadalë. E gjithë kjo është barrë mbi shpinën e të akuzuarit të cilit e kalojnë kohën në paraburgim, edhe pse është në dispozicion të organeve të drejtësisë. Prandaj do të dëshiroja që gjyqësori i Kosovës të jetë më efikas dhe më i shpejtë, dhe të punojë më shpejt dhe me respekt për të gjitha të drejtat e të akuzuarve për t'u mbrojtur. Megjithatë, kjo nuk ndodhi në atë rast”, tha Vllajiq.

I pagjykuar që nga 2019-a është edhe rasti Drenica 1, që është kthyer pjesërisht në rigjykim lidhur me akuzën ndaj Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut për keqtrajtim në Likoc të Skenderajt – lokacion ky që kohë pas kohe dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e kanë përmendur si vendndalimi në shqyrtimet gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Siç tregon avokati i Selimit, rasti i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, është kthyer mbrapsht për vetëm njërën pikë të aktakuzës.

Për këtë pikë të aktakuzës fillimisht, z. Demaku dhe z. Sylejman Selimi ishin liruar nga ana e gjykatës së shkallës së parë mirëpo gjykata e shkallës së dytë kishte marrë aktgjykim dënues në bazë të ankesës së prokurorit special. Mirëpo pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kjo pikë e akuzës është kthyer në rigjykim dhe rivendosje...Gjykata Supreme në këtë rast ka konstatuar se ka shkelje në përbërjen e trupit gjykues sepse trupi gjykues në bazë të ligjit për kompetencat e EULEX-it të asaj kohe është dashur të jetë në përbërje prej dy gjyqtarëve të huaj dhe një gjyqtari vendor, ndërsa në kundërshtim me këtë dispozitë kishte qenë i përbërë vetëm prej gjyqtarëve të huaj”, tha Qerkini.  

Qerkini thotë po ashtu se i takon gjykatës ta sqarojë se pse nuk është mbajtur gjykimi në rastin ku akuzohet ish-pjesëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, derisa shprehet se ka pasur edhe rrethana të jashtëzakonshme si pandemia COVID-19, kur gjykatat shpesh kanë punuar me staf të reduktuar dhe me rastet që preknin çështje që konsiderohen si jashtëzakonisht urgjente, siç janë caktimi i masave të sigurisë për të pandehurit e masat e përkohshme.

Pasi që Gjykata Supreme e kishte kthyer çështjen në raport me z. Demaku dhe z. Selimi në rivendosje ishte shpallur pandemia, ishte caktuar senaca, pastaj për shkak të COVID-19 ishte shtyrë. Më pas gjyqtari të cilit i ishte caktuar  çështja për ta gjykuar kishte dalë në pension, pastaj është themeluar Departamenti Special dhe ka pasur një konflikt kompetencash mes gjykatës themelore në Mitrovicë dhe departamentit special i cili funksionon në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që e mbulon tërë territorin e Kosovës ngase në kohën kur është gjykuar rasti nuk ka pasur departament special, ndërsa tani kur është kthyer rasti ka departament special. Kështuqë kjo, zgjidhje e konfliktit të komptetencës mes gjykatës themelore në Mitrovicë dhe Departamentit Special e ka marrë kohën e vet dhe tani përfundimisht çështja ka kaluar tek departamenti special i gjykatës themelore në Prishtinë dhe këto ditë presim që të na vijë ftesa për procedim të mëtutjeshëm”, tha Qerkini.

Rastet e krimeve të luftës, megjithatë e përbëjnë një pakicë në mesin e lëndëve që vijnë nga Mitrovica në Prishtinë. Gjykata Themelore në Prishtinë nga Mitrovica i ka marrë rastet ku prej bashkimeve e veçimeve të procedurave rezultojnë në total 12 raste, tetë raste për krim të organizuar, siç janë rastet me kontrabandim të barnave e naftës prej veriut, tri raste për krime lufte dhe një për kontrabandë me migrantë.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kujtojnë se në mesin e këtyre rasteve të mëdha ku Prokuroria Speciale e EULEX-it ndoqi krimin e organizuar, ndër të cilat rasti QARKU me 46 të akuzuar me dëm të pretenduar 2.4 milionë ndaj buxhetit të shtetit me krim të organizuar përmes kontrabdandimit të barnave. Këtu ka numër të madh të akuzuarish e vlera milionshe që organi i akuzës pretendon se i është bërë dëm shtetit. QARKU e edhe rasti TRANSPORTUESI kanë qenë raste të shënjestëruara si prioritare për liberalizimin e vizave. Te rasti TRANSPORTUESI me 21 të akuzuar, akuza e prokurorisë është për krim të organizuar lidhur me rreth 600,000 litra derivate të naftës e vajra të ndryshëm kontrabandë. 

Lavdim Makshana, hulumtues i lartë në IKD, thotë se stërzgjatja e proceseve të tilla në Gjykatën e Mitrovicës sjell pasoja dhe është edhe në dëm të të akuzuarve.

“Në këto dy raste realisht aktakuzat ishin ngritur në fund të viteve 2016 e 2017 por duke e pasur parasysh se janë të përfshirë një numër i madh i personave, realisht këto lëndë më nuk janë proceduar që nga fundi i vitit 2019 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Këto raste përfshijnë një numër të madh të personave, megjithatë kur e sheh se çfarë pasojash se çfarë ka shkaktuar mos-procedimi me kohë i rasteve të tilla është që në të dyja rastet ka edhe sekuestrime, ka edhe konfiskime, ka vlera milionëshe të cilat në njëfarë mënyre janë bllokuar dhe kanë prekur të drejtat e të akuzuarve, por edhe të personave të tjerë të cilët janë dëmtuar nga këto vepra penale e të cilët, tash e sa vite nuk po munden ta realizojnë të drejtën e tyre për shkak të mos-procedimit të këtyre rasteve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë”, tha Makshana.

Gjykata e Mitrovicës ka qenë subjekt i marrëveshjes për drejtësinë e dakorduar në Bruksel më 2015. Puna e saj është sfiduar përgjatë viteve, shkaku që e ka nën kompetencë veriun, ku ndikimi i Serbisë dhe i grupeve të krimit të organizuar ka qenë vazhdimisht i fortë. Deri në vitin 2017 marrëveshja për integrimin e gjyqësorit nuk u zbatua e më 2022 kjo gjykatë u godit me dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit administrativ të porositur prej Beogradit.

E Makshana tregon se që prej nëntorit 2022, ka pasur arsye shtesë që këto lëndë të barten nga Mitrovica në Prishtinë, meqë gjyqtarët serbë iu përgjigjën kërkesës së Serbisë për t’u dorëhequr prej institucioneve kosovare. Krimet e luftës nuk vjetrohen, e siç tregon ai, krimi i organizuar ka afate më të gjata të parashkrimit.

“Çështja e parashkrimit të këtyre rasteve për shkak se janë të ndërlidhura me veprat penale të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, afati i parashkrimit për këto raste është shumë më i gjatë. Pra mund të parashkruhen vepra penale që janë dytësore pra, të themi armëmbajtje pa leje nëse i është gjetur ndonjë të akuzuari, por që veprat penale si keqpërdorimi apo tregtia e ndaluar apo shmangia e tatimit, si dhe veprat penale që janë të ndërlidhura me pjesëmarrja në grupin e organizuar kriminal nuk rrezikojnë tani për tani parashkrimin, por duhet ta theksojmë se pasojat janë shumë më të rënda për palët e dëmtuara për shkak se ka pasur sekuestrime dhe konfiskime që janë shtrirë edhe në të qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës, pra nuk kanë prekur vetëm një qytet të vetëm e që ende po mbahen të bllokuara si pasojë e mos-marrjes epilog të këtyre rasteve...Gjendja është rënduar pas dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serb, por e kemi parë që Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk ka ndërmarrë pastaj asnjë veprim. Kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që këto lëndë të transferohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pra nuk i kanë trajtuar deri në transferimin e tyre”, tha ai.

Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk iu ka përgjigjur kërkesës së KOHËS për intervistë. Kryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi, e ka kryesuar procedurën në njërin prej rasteve Vukotiq e anëtari i Këshillit Gjyqësor, gjyqtari i Mitrovicës Avni Mehmeti, që ka qenë anëtar i trupit gjykues në rastin QARKU. Në përgjigjen me shkrim të kryetarit Veliqi, ndër të tjera ka folur për rrezikun për shkelje esenciale nëse do t’i trajtonin këto raste, meqë ligji për gjykata që ka hyrë në fuqi më 2019-n parasheh që lëndët e Prokurorisë Speciale t’i gjykojë Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ka thënë po ashtu se gjykata nëse do t’i trajtonte këto raste pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të bënte shkelje procedurale, meqë Kodi i Procedurës Penale e parasheh si shkelje thelbësore rrethanën kur aktgjykimin e ka marrë gjykata e cila nuk ka kompetencë lëndore për gjykimin e çështjes. Këtë interpretim e kundërshton avokati Amer Alija.

Ligji për gjykata i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2019 ka qenë i qartë që aktakuzat të cilat janë ngritur pranë gjykatave të tjera p.sh në Mitrovicë apo Prizren para se të krijohej departamenti Special pranë gjykatës themelore të Prishtinës do të vazhdojnë shqyrtimet brenda atyre gjykatave. Në këtë rast aktakuzat ndaj Vukotiqit 2017 e 2018 është dashur të vazhdojnë të trajtohen në Gjykatën Themelore të Mitrovicës por tani për arsye të ndryshme qoftë të arsyeshme apo të paarsyeshme këto raste nuk janë caktuar, që të mos zvarritet më shumë procedura për arsye se tani më në këtë fazë nuk kemi gjyqtarë serb të cilët mund të inkuadrohen në trup gjykues të përbërë prej gjyqtarëve miks shqiptarë e serbë, atëherë për të mos u zvarritur më shumë këto procese mendoj që është vendimi drejtë që janë transferuar në Prishtinë”, tha Alija.

Me gjithë sfidat edhe ato të pandemisë, edhe vetë Gjykata e Mitrovicës thotë se gjykimi në kohë të arsyeshme është e drejtë e njeriut, që parashihet me Kushtetutë e edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që është direkt e zbatueshme në Kosovë. Tash edhe pas vonesës për t’i bartur lëndët Themelores në Prishtinë dhe pa përmbledhje për historikun e këtyre lëndëve, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë obligimin prej Këshillit Gjyqësor për ta nxjerrë fillin e lëmshit dhe ta fillojë gjykimin e rasteve, që të paktën prej vitit 2019 janë pa gjykuar.