Nëpër rrugë, në qendra tregtare, në dyqane afër shkollave e në platforma online mund të blihen produktet atraktive e me shije të këndshme që quhen “vape”, e që përmbajnë nikotinë dhe janë bërë trend i konsumimit nga fëmijët. Mjekët alarmojnë për rrezikun, derisa punëtorët e arsimit konfirmojnë se këto produkte të rrezikshme lehtësisht kanë gjetur rrugën të nxënësit. Kosova nuk ka ligj që përcakton rregulla për ta luftuar këtë fenomen, ndërkohë që as institucionet arsimore apo organizatat për mbrojtjen e fëmijëve nuk i janë qasur specifikisht trajtimit të tij
Shtandet shumëngjyrëshe, ndriçimet vezulluese e aromat e frutave dhe çokollatës duken më tërheqëse se dyqanet e lodrave e raftet e librave për fëmijë.
Nëpër rrugë, në qendra tregtare, në dyqane afër shkollave e në platforma online mund të blihen produktet atraktive e me shije të këndshme që quhen “vape”, e që përmbajnë nikotinë dhe janë bërë trend i konsumimit nga fëmijët.
Mjekët alarmojnë për rrezikun, derisa punëtorët e arsimit konfirmojnë se këto produkte të rrezikshme lehtësisht kanë gjetur rrugën të nxënësit. Kosova nuk ka ligj që përcakton rregulla për ta luftuar këtë fenomen, ndërkohë që as institucionet arsimore apo organizatat për mbrojtjen e fëmijëve nuk i janë qasur specifikisht trajtimit të tij.
‘Vapes’ janë një formë e re dhe alternative e duhanpirjes. Përdoren lehtë dhe shumica prej tyre përmbajnë edhe nikotinë, substancë kjo shumë varësikrijuese, e cila gjendet edhe te cigaret klasike.
Në fjalorin e përditshëm, të njohura edhe si “shisha”, cigaret elektronike përdoren duke inhaluar një avull me shije, i cili del nga një epruvetë me lëng që ndodhet brenda kësaj pajisjeje.
Për shkak se krijojnë varësi, dëmtojnë procesin zhvillimor të trurit si dhe mushkëritë, “vapes” ashtu si edhe duhani, ndalohen të përdoren nga persona nën 18 vjeç.
Drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemaili” në kryeqytet, Mimoza Krasniqi, ka thënë se vazhdimisht konfiskohen nga nxënësit 12 e 13 vjeç cigare elektronike.
“Ky fenomen i ‘vape’ domethënë është në shumicën e shkollave të Kosovës dhe në Prishtinë dhe në shkollën “Ismail Qemali” ka ekzistuar dhe besoj që ekziston. Po ne si fenomen e kemi trajtuar në rastet kur mësimdhënësit kanë hasur te nxënësit, sidomos te klasat e teta dhe te klasat e nënta. Kemi njoftuar prindërit, kemi njoftuar rastin në ekipin brenda shkollës që i trajtojnë rastet e fëmijëve, të cilët e përdorin ‘vape-in’, i kemi njoftuar prindërit në bashkëpunim, në prezencën e fëmijës për dëmet që i
shkakton ‘vape-i’ po për arsye të cilat neve na takojnë, jemi munduar t’i trajtojmë në atë formë, në bashkëpunim me prindërit”, ka thënë Krasniqi
Filloristët e një klase, konsumues të cigares elektronike
Psikologu klinik, Ilir Havolli, ka treguar për raste kur thuajse të gjithë filloristët e një klase kanë qenë konsumues të cigares elektronike.
“Gjatë punës sime klinike, sepse po potencoj prapë, një nga klientët, i cili trajtohet tek unë për këtë situatë tregon se në klasën e tyre nga njëzet nxënës, janë vetëm tre që nuk e konsumojnë. Prandaj, ky është një fenomen, i cili duhet hulumtuar edhe nga ju si medie, por edhe nga institucionet tona, se me të vërtetë është një fenomen mjaft shqetësues”, është shprehur Havolli.
Të shumta janë rastet kur për fëmijët konsumues kërkohet ndihmë e psikologut, ndërkohë shitja e këtyre produkteve te fëmijët është e ndaluar.
Sipas Arben Lilës, menaxherit të programeve në Qendrën për Avokim dhe Zhvillim (KADC), organizatë kjo që veprimtari primare e ka luftën ndaj duhanit, thotë se qasja e fëmijëve te këto produkte është shumë e lehtë. Lila u shpreh se dyqanet afër shkollave shesin lirshëm këto produkte.
“Sapo të dalin në oborr, aty përreth janë dyqanet, të cilat sponsorizohen nga industria e duhanit, që t'i rekrutojnë fëmijët. E kur një fëmijë fillon të pijë duhan para moshës tetëmbëdhjetëvjeçare, atëherë ai është pothuajse një klient për tërë jetën për industrinë e duhanit, i parapaguar”, ka deklaruar Lila.
Por drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” ka alarmuar edhe për forma të tjera të shitjes së tyre.
“Shumica e fëmijëve e dinë që këto duhet të shiten për persona mbi tetëmbëdhjetë vjet, po si i blejnë, nuk kemi informata të sakta. Dikush thotë, ka raste që thonë nëpërmjet internetit i porosisin, i blejnë në shtëpi, ka raste që nëpër lokale përreth shkollës. Ka raste që blenë nëpër markete të ndryshme, por krejt varet këtu, faktor është prindi që mund ta parandalojë. Normal edhe shkolla, por pa bashkëpunim me prindin, ne nuk mundemi ta parandalojmë. Për arsye se prindi është ai që i jep para fëmijës dhe e di sa para ia ka dhënë dhe sa kushton, se ata mbi gjashtë-shtatë euro, sa e di unë, kushtojnë”, ka thënë drejtoresha Krasniqi.
Një kërkim i thjeshtë në rrjetet Facebook dhe Instagram, me të shkruar fjalën “vape” dalin dhjetëra faqe, të cilat shesin lloje të ndryshme të cigareve elektronike, me çmime që variojnë nga 5 euro deri në 20. Në disa raste, këto dyqane virtuale, dërgesën e porosisë e ofrojnë falas.
Sipas psikologut Havolli, mënyrë e sofistikuar e marketingut vërehet edhe te paketimet e cigareve elektronike.
“Ai prodhuesi, i cili ka vendosur në qarkullim një cigare të tillë, ai e ka hulumtuar, e ka studiuar aspektin psikologjik të individëve dhe në këtë rast, përderisa e ka hulumtuar aspektin psikologjik, ai e ka kuptuar se cila ngjyrë është dominante, cila fotografi është ajo që e ngacmon shqisën e të parit dhe si diçka e atillë kur ngacmohet shqisa e të parit, individët e blejnë... edhe këto cigare elektronike kanë paketime shumë të bukura, shumë tërheqëse, që të nxit ta marrësh”, ka theksuar Havolli.
I dëmshëm për zhvillimin e trurit të fëmijëve
Konsumimi i cigareve elektronike është i dëmshëm për zhvillimin e trurit të fëmijëve si dhe për mushkëritë e tyre.
“Gjatë punës sime klinike, është vërejtur se këta përdorues të këtyre cigareve që përmbajnë nikotinë, tani kohëve të fundit kanë edhe rënie të performancës akademike. Çka nënkupton që kjo nikotinë ndikon direkt edhe te suksesi i këtyre personave në shkollë, pra në mënyrë direkte në aftësitë kognitive të tyre, duke e ulur kështu nivelin e përqendrimit. Pra, kemi mungesë të përqendrimit, por faktikisht edhe duke shtuar edhe lëvizshmërinë e tepërt, që në këtë rast disa individë mund ta cilësojnë si hiperaktivitet por kjo nuk është hiperaktivitet, sepse është si pasojë e përdorimit të nikotinës”, ka thënë ai.
Sipas Havollit, kujdes e vëmendje më të veçantë i duhet kushtuar ndikimit të “vape-ave” në sjelljet e fëmijëve.
“Ndërsa në aspektin psikologjik ndikon në mënyrë direkte, duke shkaktuar sjellje të ndryshme apo çrregullime emocionale, duke shkaktuar sjellje agresive, duke rritur dozën e stresit dhe ankthit, dhe kështu pastaj duke rritur edhe dozën e agresivitetit. Prandaj, kohëve të fundit, krahas përdorimit të këtyre cigareve është rritur edhe numri i rasteve apo i konflikteve në shkollë”, ka shtuar Havolli.
Pulmologu Skënder Baca, thekson se disa nga veçoritë që e bëjnë cigaren klasike të rrezikshme, ekzistojnë edhe te cigaret elektronike.
“Si duhanpirja klasike, si ‘vape-at’, zhvillojnë temperatura të larta. Temperaturat e larta shkaktojnë djegie. Kjo djegie është si një lëkurë që digjet, kur s'ka njeri që pak s'u djeg, apo? Edhe e ka parë që është skuqja, ajo simptoma e parë është skuqja që dihet në patologji që dyqind vjet. Është skuqja, e cila mund të kalojë në kronicitet e fatkeqësisht pastaj kjo skuqje si inflamim, se inflamimi është baza e krijimit të një numri shumë të madh të kancereve, e këtu posaçërisht të mushkërive, sepse mukoza domethënë mbështjellësi i brendshëm i bronkeve, i rrugëve të frymëmarrjes, është mjaft fragjil, është mjaft i ndjeshëm në temperaturat e larta dhe këto shkaktojnë atë që thamë, domethënë, në mënyrë shkallë-shkallë, një herë djegie, ajo është djegia e shkallës së parë e të dytë, pastaj një djegie më e madhe inflamimi dhe kanceri”, ka thënë Baca.
Ligji aktual kundër duhanit, që ka hyrë në fuqi në vitin 2014, nuk trajton çështjen e cigareve elektronike.
Në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se ky ligj është në plotësim-ndryshim dhe në versionin e ri do të përfshihen edhe ato. Mirëpo, nuk kanë treguar se si do të bëhet kjo.
“MSH ka në proces plotësim-ndryshimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ku adresohen kontrolli i duhanit, shitja/tregtimi, prodhimi dhe aspektet e tjera të lidhura me duhanin dhe produktet e tij. Ky ligj do të adresojë edhe çështjen e cigareve elektronike dhe ‘vape’”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Mangësia e ligjit
Arben Lila nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim tha se si organizatë po marrin pjesë në draftimin e ligjit të ri anti-duhan.
“Ne po avokojmë që ‘vape-at’ që kanë shije, që janë shumë atraktive, tërheqëse për fëmijët, të ndalohen tërësisht. Ndërsa këta ‘vape-at’ e tjerë, domethënë për të rritur që kanë përmbajtje nikotine, të mos promovohen, të mos sponsorizohen edhe të mos dalin domethënë në treg, ashtu pa fotografi sikur që janë pakot e tjera”, ka deklaruar Lila.
Në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit tregohet se si ky institucion e trajton trendin në rritje të konsumimit të “vape-ave” nga nxënësit.
“Kurrikula e Kosovës trajton këto tema përmes lëndës “Edukatë fizike, sportet dhe shëndeti” duke filluar nga klasa e parë, deri në klasën e 12-të. Informatat janë të lidhura edhe me rezultatet direkte që nxënësi duhet t’i arrijë përgjatë secilës klasë si dhe kur të përfundojë secilin nivel të shkollimit. Fusha: Edukatë fizike, sportet dhe shëndeti ofron qasje të integruar të edukimit fizik dhe sporteve me edukatën shëndetësore në të gjitha nivelet nga klasa e parë deri në klasën e 12-të. Pra, përmes kësaj lënde, trajtohen edhe temat e promovimit dhe edukimit shëndetësor, duke përfshirë këtu edhe vetëdijesimin për substancat që krijojnë varshmëri”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Në Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve kanë thënë se e kanë përmendur, por nuk kanë bërë hulumtim enkas për çështjen e cigareve e elektronike në raportin “Karta e Vlerësimit: Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve?”.
Ministria e Tregtisë nuk ka dhënë informacione nëse janë kryer inspektime për shitjen e “vape-ave” te fëmijët, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë afat për rregullimin ligjor, e pulmologu Skënder Baca alarmon që dëmi nga këto cigare është shumëfish më i madh te fëmijët.
“Për shembull, nëse dikush fillon ta pijë çfarëdolloj duhani ose ‘vape-i’ në moshën tridhjetë-katërdhjetë vjeçare, mushkëria e atij organizmi është veç e pjekur, domethënë veç ka ardhur në kontakt me alergjene në vendin e punës me ndonjë avull e tjera e tjera dhe mushkëria e tij është, në atë kuptim është dëmtuar, por edhe është rehabilituar. Domethënë është kundërpërgjigjja në dëmtim, është adaptimi në dëmtim edhe ajo mushkëri është më e përgatitur, për shembull, të themi kushtimisht, më e përgatitur me këtë ‘vape’ për shembull, më lehtë e përballon. Organizmi i ri, për shembull, i një pesëmbëdhjetë-njëzetvjeçari, i cili i ka qelizat bronkiale, mukozën bronkiale të paprekura edhe vjen në kontakt me një avull të tillë nga këto cigaret, atëherë është dëmtimi shumëfish më i madh se sa te një organizëm katërdhjetëvjeçar”, ka deklaruar pulmologu Baca.
Cigaret elektronike fillimisht ishin promovuar si një hap drejt lënies së duhanit. Por, studime në këtë fushë tregojnë që “vape-at” janë rruga që joduhanpirësit i bën konsumues të tij. Ngjyrat dhe shijet e tyre në cak i kanë brezat e rinj.