Në këtë vit shkollor që po mbaron, Komuna e Podujevës hapi dy herë konkurs për të rekrutuar dy mësimdhënës të lëndës së fizikës. Por nuk pati asnjë aplikim. Në “tempujt e dijes”, mungesë e kuadrove të kualifikuara është paraqitur edhe për lëndën e matematikës. Tri herë është hapur konkursi për rekrutimin e një mësimdhënësi për në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë. Në fund, është angazhuar një student për gjashtë muaj
Institucionet arsimore në Kosovë përballen me mungesën e kuadrit për të ligjëruar shkencën që përshkruan funksionimin e natyrës duke përdorur gjuhën e matematikës.
Në këtë vit shkollor që po mbaron, Komuna e Podujevës hapi dy herë konkurs për të rekrutuar dy mësimdhënës të lëndës së fizikës. Por nuk pati asnjë aplikim.
Për mbulimin e orëve mësimore, Drejtoria Komunale e Arsimit, u detyrua që ato t’i shpërndajë te mësimdhënësit aktualë. E kjo shkaktoi mbinormë të orëve te disa arsimtarë.
Drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, thotë se situata është shqetësuese. Ai shpreh drojën se në të ardhmen klasat do të mbeten pa ligjërues të shkencës natyrore që studion materien, lëvizjen dhe sjelljen e saj nëpër hapësirë dhe kohë.
“Fillimisht Fakulteti i Shkencave ka prodhuar kuadro me kualifikim katërvjeçar, disa profile edhe me 180 kredi. Udhëzimi Administrativ parasheh së paku 240 kredi, por që në mungesë të tyre mund të merren me 180 kredi, sidomos në mungesë të profilit të Fizikës mund të merren edhe kandidatë me 180 kredi, përkundër faktit që dy herë radhazi e kemi shpallur konkursin... Këtë e kemi ngrit si shqetësim edhe në kuadër të Ministrisë së Arsimit, por edhe në Kolegjiumin e Arsimit që këtyre kuadrove t’iu jepet mundësia dhe të rritet numri, të inkurajohen edhe kandidatët e rinj, sidomos këta që përfundojnë shkollimin e mesëm të orientohen në profilet që mund të arrijnë në punësim sa më shpejt, pra të matematikës, fizikës, biologjisë dhe kimisë”, ka thënë Fetahu.
Në “tempujt e dijes”, mungesë e kuadrove të kualifikuara është paraqitur edhe për lëndën e matematikës.
Tri herë është hapur konkursi për rekrutimin e një mësimdhënësi për në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë.
Në konkursin e shpallur për të zëvendësuar arsimtaren e cila gjendet në pushimin e lehonisë, nuk pati kandidatë të kualifikuar. Në mënyrë që nxënësit t’i mbajnë orët mësimore, drejtori i Arsimit, Remzi Bajselmani, thotë se është detyruar të angazhojë një student për gjashtë muaj.
“Kohëve të fundit, këtë vitin që jemi, është paraqitur si problem lënda e matematikës nuk kemi pasur kuadro të diplomuar, e jemi detyruar të shpallim konkurs dy herë a tri për të marrë një mësimdhënës. Këto janë për zëvendësimet e pushimit të lehonisë për çka jemi detyruar të marrim studentë të padiplomuar që mos të humbasin nxënësit. Ndërsa profilet tjera mendojë që jemi mirë, por pak ka filluar të bëhet e ndjeshme mungesa e arsimtarëve të TIK-ut sepse edhe aty nuk ka të diplomuar”, ka deklaruar Bajselmani.
Angazhimi i “praktikantit” si mësimdhënës
Përkundër se nuk posedoi kualifikimin e duhur, për drejtorin e gjimnazit “Jeta e Re”, Fadil Elshani, angazhimi i “praktikantit” ka treguar produktivitet në mësimnxënie.
“Fillimisht pjesa më e madhe e orëve është zëvendësuar nga kolegët tanë këtu, pastaj ka filluar praktikanti. Po i them praktikant por ai me status ka qenë profesor sepse në bazë të konkursit është pranuar dhe ka vazhduar punën. Dihet se nuk ka qenë i diplomuar për lëndën e matematikës por duket se në këtë pjesë tonën ka mungesë të profesorëve të matematikës. Unë jam ndarë i kënaqur me të përkundër se i ka pasur vështirësitë e tij pasi nuk e ka eksperiencën edhe kualifikimin e përfunduar për këtë çështje, por mendojë se kështu duhet të motivohen”, ka theksuar Elshani.
Profilizimi i mësimdhënësve tregon për shpërputhje të programeve mësimore me tregun e punës. Përderisa në lëndët shkencore ka mungesë të kuadrit, në nivelin fillor ka mbingarkesë të stafit. Rreth dymijë mësimdhënës konsiderohen tepricë teknologjike për shkak të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve, e kjo është e theksuar në klasat e nivelit fillor.
Mosndjekja e ritmit të tregut të punës, vërehet edhe në regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës, i cili është i vetmi institucion i arsimit të lartë publik që prodhon kuadro për mësimdhënësit lëndorë.
Mundësinë për t’u kualifikuar si mësimdhënës lëndorë e ofron Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore. Në regjistrimin e fundit të studentëve për vitin akademike 2023/2024, nuk u plotësuan vendet e hapura. 20 studentë u regjistruan në drejtimin Mësimdhënia e Matematikës, ndërsa 13 në Mësimdhënia e Fizikës në Fakultetin e Edukimit. E në FSHMN, u regjistruan shtatë në Matematikë dhe katër në Fizikë.
Këtë vit rrezikohet të shkurtohet mundësia për t’u kualifikuar si mësimdhënës i Fizikës në Fakultetin e Edukimit. KOHA ka raportuar vitin e kaluar se ky program nuk do të arrijë të regjistrojë studentë për këtë vit akademik pasi konkursi i hapur vitin e kaluar për të angazhuar një profesor në drejtimin Mësimdhënia e Fizikës në nivelin master, përfundoi pa asnjë rekomandim, pasi dy kandidatët që aplikuan sipas anëtarëve të Komisionit Vlerësues nuk i plotësuan kriteret. Ky departament që nga janari i vitit 2023 ka mbetur pa profesorë për këtë drejtim.
Vështirësi me personelin mësimor
Për mungesën e mësimdhënësve të kualifikuar në disa profile, janë të informuar edhe në Ministri të Arsimit. Por deri më tani ky institucion nuk ka njoftuar për përpilimin e një strategjie për të inkurajuar të rinjtë që të aftësohen në këto drejtime.
Në raportin e fundit të PISA-s nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), janë shfaqur edhe raportimet e institucioneve arsimore për vështirësi rreth personelit mësimor.
27.1 për qind e drejtorëve kanë deklaruar se kanë mungesë të personelit mësimor. 12.9 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë mësimdhënës joadekuatë ose të pakualifikuar.
Në këtë raport theksohet se mungesa e mësimdhënësve në drejtimet e shkencës është problem global. Por se Kosova qëndron më mirë me personel mësimor, krahasuar me shtetet fqinje.
Sabri Rudari, ka mbi dy dekada që ushtron profesionin e mësimdhënësit të matematikës në shkollën “Shaban Shala” në Podujevë. Ai thotë se mospërputhja e pagës me përgjegjësinë që ngarkohet nga ky profesion, është një ndër arsyet që gjeneratat e reja hezitojnë të studiojnë këtë lëmi.
“Mendoj që është i ngarkuar planprogrami po flas për këtë fillor dhe kjo i bën ndoshta njerëzit të hezitojnë më tepër po nisna prej nxënësve që thonë se është e ngarkuar tani krijohet ajo bindja se është e vështirë. Por pastaj është pagesa dhe dëshiron punë shumë e përgjegjësi të madhe”, ka thënë Rudari.
E sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, problemi qëndron pasi profesioni i mësuesisë nuk është atraktiv.
Pupovci: Profesioni i mësuesisë nuk është atraktiv.
“Për të ndërmarr masa duhet të bërë profesionin e mësimdhënësit atraktive, jo gjithherë mjafton që të jepen bursa për studime sepse këto janë shpërblime afatshkurta dhe pastaj njerëzit duhet ta shpaguajnë gjatë gjithë karrierës. Por thjesht duhet të punohet më shumë në përmirësimin e pozitës të mësimdhënësve, posaçërisht anën materiale të tyre, posaçërisht organizimit brenda shkollës, më mirë veten në shkollë, po flas për njerëzit që do të vijnë në shkollë në mënyrë që profesioni të jetë tërheqës. Pastaj një gjë tjetër që mund të bëhet është të diversikohen fushat e studimit. Për shembull në Kosovë kemi në shkenca të natyrës kur shkojmë e përgatisim mësimdhënësin vetëm në një fushë, fizikë, matematike, biologji. Këtu duhet të shihet që në fusha të përafërta njerëzit të kualifikohen për dy fusha”, ka deklaruar Pupovci.
Një fushë tjetër me ligjërues deficitarë në institucionet arsimore, është edhe lënda e gjuhës gjermane. Sipas Fakultetit të Filologjisë nuk ka mungesë të kuadrove, por të diplomuarit preferojnë të punojnë në vende që ofrojnë pagë më të lartë.
E për të plotësuar këtë normë, komunat punësojnë njerëz me kualifikim për gjuhë angleze.
KOHA pati raportuar vitin e kaluar se shtatë persona janë punësuar në Drenas me kualifikim për gjuhë dhe letërsi angleze.
“Për gjuhë gjermane kemi disa që janë adekuat, por kemi edhe mungesë të kuadrit, e në mungesë të kësaj i zëvendësojmë për një vit shkollor, sepse jemi të obliguar në bazë të Udhëzimit Administrativ që nuk mund të nënshkruajmë kontratë afatgjatë deri në përzgjedhjen e kandidatëve ashtu siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ”, ka thënë Muhamet Gjoka, drejtor i Arsimit në Drenas.
Profesoresha e gjuhës gjermane në Fakultetin e Filologjisë, Vjosa Sadriu-Hamiti, ka thënë se punësimi i mësimdhënëse me kualifikim joadekuat lë pasoja te fëmijët.
“Është pothuajse e pamundur, nuk ma merr mendja që mundet një profesor në gjuhën angleze apo gjuhën frënge të hyjë në një klasë ku janë mbi 30 nxënës dhe të mbajë gjermanisht”, ka thënë ajo. “Nëse një mësimdhënës që ka kryer anglishten, frëngjishten dhe e di gjermanishten te A1 as atë pjesë jo mirë, atëherë veç çka e dëmton fëmijën”, është shprehur Sadriu-Hamiti.
Me të njëjtën situatë është përballur edhe Komuna e Suharekës. Por shpërngulja për çështje martesore e dy mësimdhënëseve nga Rahoveci në Suharekë ua ka zgjidhur problemin.
“Fatmirësisht Komuna e Suharekës për kuadro të gjuhës gjermane është e kompletuar, pasi kemi pasur fatin që dy mësimdhënëse nga komuna e Rahovecit kanë kaluar në Suharekë pasi janë martuar në Suharekë dhe me procedura të rregullta të konkursit i janë nënshtruar procedurave dhe janë punësuar në Suharekë. Kështu që të gjitha shkollat në Suharekë i kanë profesioniste dhe të kualifikuar për gjuhën gjermane, gjë që kur marrim pjesë në takime me drejtoritë komunale, shumica e komunave e paraqesin si problem si më deficitare të diplomuar në gjuhën gjermane”, ka thënë Bajselmani.
Problemet që e presin Kosovën pas një dekade
Një tjetër arsye e mosndjekjes së profesionit të mësuesisë, sipas Pupovcit, është pasiguria e krijuar për shkak të rënies së numrit të nxënësve.
“Një gjë tjetër që shkakton rezervë te njerëzit është edhe zvogëlimi i vazhdueshëm i numrit të nxënësve në Kosovë e cila është diçka e pashmangshme e cila nuk mund të ndalet as me masa politike dhe as administrative, dhe kjo natyrisht krijon kërkesë gjithnjë me të vogël për mësimdhënësit dhe njerëzit kanë pasiguri aty. Ndodhë që ata që janë duke punuar aty ju zvogëlohet norma, fillon me normë të plotë prej 20 orësh, në vitin tjetër kalon në 16 orësh, e kjo ndikon edhe ne zvogëlim të pagës, nuk është ashtu e pozitive për gjeneratat reja që t’i orientohen atij profesioni”, ka shtuar Pupovci.
Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), për 13 vjet ka rënë për rreth 90 mijë numri i nxënësve në nivel vendi. Në vitin 2010 numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte mbi 300 mijë nxënës, e sivjet janë rreth 212 mijë nxënës.
Arsyet e numrit të vogël të nxënësve nëpër shkolla, sipas ASK-së, janë rënia e natalitetit dhe migrimi i familjeve nga Kosova.
Projeksioni i ASK-së për vitet 2011-2061 tregon se 2034-ta pritet të jetë viti kur Kosova do të fillojë të ballafaqohet me depopullimin si problem demografik, i cili nga dekada në dekadë do të thellohet vazhdimisht.