Brenda thasëve që gjenden nëpër frigoriferë e brenda kutive nëpër rafte, janë sistemuar mbetjet mortore. Shumica dyshohet se janë të personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, dhe mbahen brenda objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Por të paidentifikuara, meqë analizat e ADN-së nuk u përputhen me ato të familjarëve të të pagjeturve
Një ndërtesë e verdhë nga jashtë e pa ngjyra nga brenda, për një çerekshekull mban të mbyllur misterin e afro 300 mbetjeve mortore. Mbetje njerëzish, pa emër.
Korridori me drita të zbehta të çon drejt derës së bardhë që ka mbyllur nga ana tjetër historitë e njerëzve. Në dhomë, ndryshe nga korridori, depërton më shumë dritë. Por, kundërmon.
Që nga hyrja e deri në fund të sallës janë rreshtuar 20 frigoriferë të mëdhenj, ngjyrë hiri e të shënjuar me germa.
Përballë tyre janë raftet metalike me kuti letre e me kode të caktuara.
Brenda thasëve që gjenden nëpër frigoriferë e brenda kutive nëpër rafte, janë sistemuar mbetjet mortore. Shumica dyshohet se janë të personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, dhe mbahen brenda objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Por të paidentifikuara, meqë analizat e ADN-së nuk u përputhen me ato të familjarëve të të pagjeturve.
“Kritika kryesore e jona për institucionet është mosidentifikimi i një numri të caktuar të trupave, janë disa qindra, ndoshta deri në 300 trupa që për një kohë të gjatë, qe shumë vjet gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Së paku ata trupa duhet të identifikohen dhe autoritetet duhet të marrin masa”, ka thënë Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Ditor Haliti, zëvendësues i drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, thotë se janë disa arsye pse këta trupa kanë mbetur në IML që prej viteve të para të pasluftës.
Për një numër më të vogël mbetjesh thotë se nuk i përkasin luftës së fundit.
E, disa sosh janë degraduar e djegur saqë është problem t’u nxirret profili i ADN-së.
“Një numër i vogël tjetër është që familjarët të refuzojnë me dhanë gjak për arsye të ndryshme. Duke filluar prej asaj që disa, madje shpresojnë që ende i kanë të gjallë të afërmit e tyre, deri tek ata që nuk i besojnë metodës së ADN-së dhe refuzojnë të japin gjak. Mirëpo numri më i madh pse këto mbetje janë ende të paidentifikuara, lidhet me ato që i quajmë ne identifikime tradicionale, që janë bërë në vitet 1999 dhe 2000. Në atë kohë nuk ka ekzistuar metoda e ADN-së në Kosovë, nuk është aplikuar dhe identifikimi është bërë në bazë të pamjes fizike të viktimave, në bazë të gjësendeve, rrobave, kështu që në disa raste kanë mundur të ndodhin edhe gabime në identifikim", ka deklaruar Haliti.
Një numër familjarësh që i kanë varrosur të dashurit e tyre me këtë metodë nuk kanë dhënë gjak, me bindjen se i kanë gjetur trupat.
Në IML dyshojnë se ata mund të kenë varrosur trupa të tjerë gabimisht dhe refuzimi për të dhënë gjak mund ta pamundësojë përgjithmonë konfirmimin apo identifikimin e tyre.
"Tash nëse dikush e ka një trup që e ka marrë në vitet 1999-2000 pa ADN, pra në mënyrë të gabuar, në ndërkohë trupi i vërtetë është gjetur më vonë, ka ardhur këtu dhe tash na kemi dërguar mostrën për ta identifikuar, mirëpo meqenëse familjarët e këtij individi nuk kanë dhënë gjak, ky trup do të mbesë i paidentifikuar në IML, ndërsa familjarët në disa raste mund t'i kenë trupat e gabuar”, ka treguar Haliti.
Haliti thotë se pas lufte, në këtë mënyrë ndodhën mbi 2 mijë identifikime, një numër i të cilave mund të jenë të gabuara.
Shprehet se tani i kanë disa familje të targetuara me të cilat janë duke punuar që t'u mundësohet marrja e mostrave të gjakut.
Në disa raste ai thotë se bashkëpunimi i familjeve për të dhuruar gjak, çoi në përputhjen me disa mbetje kockore që i patën në IML.
Nga aty i morën eshtrat e të dashurve të tyre dhe i zhvarrosën ata që i kishin keqidentifikuar si familjarë, mbetjet e të cilëve pas ADN-së iu dorëzuan familjeve të tjera.
"Edhe tash jemi duke i identifikuar këto grupe të familjeve ku ka mundur të ndodhë keqidentifikimi dhe po shkojmë po iu themi që në mënyrë që të konfirmohet që ju e keni individin, familjarin e juaj të duhur, duhet të jepni një pikë gjak, sepse në këtë mënyrë edhe e lehtësoni veten, e konfirmoni që e keni trupin e duhur. Por nëse e keni trupin e gabuar, atëherë realisht e lehtësoni një familje tjetër të cilën jeni duke e mbajtur peng, sepse po mbetet trupi i gabuar në varr të gabuar", ka theksuar Haliti.
Institucionet e pranojnë vonesën në zbardhjen e fatit të të pagjeturve e sidomos në përputhjen e mostrave të familjarëve me ato në IML.
Por, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se sukseset në këtë proces mund të cenojnë edhe ndjenjat njerëzore.
"Po punohet, a po punohet ngadalë dhe a kanë të drejtë familjarët të na akuzojnë? Po!. Por, unë nuk besoj që është dikush që mundet për momentin të shkojë t'i trazojë mbi trembëdhjetë mijë ose pesëmbëdhjetë mijë familje që kanë të vrarë dhe t'u kërkojë gjaku kështu njëkohësisht, sepse është e rëndë", është shprehur Hoti.
Hoti thotë se një rol kyç për ta pamundësuar identifikimin e luajti edhe Serbia me strategjinë e saj skajshmërisht johumane.
"Njeriu paramendon ose parafytyron lloje të ndryshme të krimeve, por pakkush i parafytyron edhe këtë mendësi që ata e kanë, se veç Serbia di të bëjë gjëra të tilla. Kanë marrë trupat e njerëzve dhe i kanë ndryshuar, ua kanë ndërruar teshat. Njëri trup ia ka marrë teshat e tjetrit ose gjësende ose kanë futur kinse letra, dokumente të ndryshme nëpër trupa të ndryshëm, pikërisht për këtë gjë, që të bëhet një konfuzitet i tillë, që të krijohet një problem i tillë te ne dhe të mos mundemi t’i identifikojmë ne pastaj këta trupa kurrë", ka shtuar ai.
Mbetjet mortore në IML, shumica dërmuese janë të skeletizuara, prej rasteve kur janë skelete të kompletuara deri në rastet kur janë të fragmentuara, copëtuara, djegura apo vetëm një kockore.
Në Kosovë sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qeveritar, 1.588 persona ende figurojnë në listën e të zhdukurve me dhunë.
Vjet institucionet morën 38 raporte të ADN-së, prej të cilave 26 ishin identifikime të reja dhe 12 konfirmime të identitetit të atyre që ishin gjetur më herët. E këtë vit u gjet vetëm një person në Obranqë të Podujevës, por nuk është identifikuar ende.
Analiza e ADN-së nuk bëhet në Kosovë. Mostrat dërgohen në Hagë dhe priten rezultatet.
"Këto analiza gjenetike bëhen në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur që e ka selinë në Hagë, i cili realisht e ka përkrahur procesin e identifikimit që nga viti 2003 dhe ata kanë qenë përgjegjës nga viti 2003 edhe për mbledhjen e mostrave të gjakut të familjeve të personave të zhdukur. Janë mbledhur më shumë se dhjetë mijë mostra gjaku nga familjarët e personave të zhdukur dhe ndërkohë janë marrë edhe masat kockore, të cilat janë dërguar në ICMP. Tash pse nuk e bëjmë ne është çështja se, edhe pse ne i kemi tash kapacitetet tona, e kemi laboratorin e ADN-së që gjendet në kuadër të Agjencisë së Forenzikës së Kosovës dhe është një laborator i akredituar që ka mundësi edhe ata të nxjerrin profilin gjenetik nga kockat, mirëpo është çështje më shumë e marrëveshjes mes shtetit të Kosovës me ICMP-në, të cilët e kanë një lloj kontrate me familjet, e cila i obligon ata që të mos ndahen një herë përnjëherë këto mostra të gjakut me shtetin e Kosovës", ka deklaruar Haliti, zëvendësues i drejtorit të IML-së.
Nga kjo metodë në fund të vitit 2024 u identifikuan 12 persona, që u vranë në masakrën e Kralanit, mbetjet e të cilëve Komisioni i gjeti në varrezën masive në Bishtazhin të Gjakovës gjatë gërmimeve në fund të vitit 2023.
Procesi i identifikimit mori kohë një vit dhe pasi Komisioni u sigurua, u njoftuan familjet në prag të 26-vjetorit të masakrës.
Kësisoj, një episod tragjik i luftës iu rikthye në kujtesë Refki Hajdarajt nga Gremniku i Klinës, në fillim-marsin e këtij viti. Një lajm për të vëllain 15- vjeçar që iu zhduk me dhunë në luftë, i mbërriti me një çerekshekull vonesë. Pritja e gjatë mbolli shpresë, ndonëse mendja nuk ia arsyetonte. E donte t’i kthehej i gjallë!
“Gjithmonë, çdo lëvizje që ka ardhur dikush të dyert, ne e kemi pasur atë shpresën: O ishalla mos po na del! Për gjallë është fjala! Po fatkeqësisht, s’paska qenë gjallë”, ka thënë Refki Hajdaraj.
Shkëlzen Hajdaraj ishte njëri nga viktimat e masakrës së Kralanit të Gjakovës, kur më 4 prill të 1999-s forcat serbe e ndanë nga familja atë dhe babanë e tij. Familja u njoftua më 11 mars se i gjetën eshtrat e Shkëlzenit, por jo edhe të babait të tij që vazhdon të jetë i zhdukur. Përveç Shkëlzenit, u gjetën eshtrat edhe të 6 personave të tjerë të Klinës.
“Po pasi për vëlla kam mbajtur shpresë shumë, mos po na del i gjallë diku, se ka qenë shumë i ri 15-vjeçar në atë kohë kur e kanë ndalur, ama për babën, mbasi doli vëllai kështu, as për atë nuk kam shpresë më, po bile të paktën një asht t’ia dimë diku”, ka thënë ai.
Jetesa pa informacione peshonte shumë mbi familjen, thotë Refkiu.
“Shumë e rëndë, për familje shumë e rëndë, sidomos për nënën ka qenë ekstrem e rëndë. Por, edhe për ne vëllezërit, motrat, për të gjithë ka qenë shumë e rëndë”, ka shtuar Hajdaraj.
Mbetjet mortore të Shkëlzenit u gjetën në Bishtazhin, në varrezën masive ku Serbia kishte tentuar ta fshihte krimin që kishte bërë kundër popullatës civile.
Përveç viktimave nga Klina, aty u gjetën eshtrat edhe të tre personave të tjerë nga Malisheva.
Kadri Kryeziu e kishte përjetuar rëndë momentin kur e ndan nga djali, eshtrat e të cilit iu gjetën në të njëjtën kohë me ato të Shkëlzenit. Ai kishte qenë pjesë e burrave që u ndaluan e u torturuan për tri ditë në fushën e Kralanit, ku më pas Kadriun e ndanë me djalin Sabedinin, asokohe 16-vjeçar. Të rinjtë i morën e më të moshuarit i përzunë për në Shqipëri.
“Kur ka ardhur tek unë, m’i ka rënë djalit shkelm, ngrihu tha, se edhe ti qenke i mirë të punosh. 98 na i morën aty, i bënë rresht, i nisën në njëfarë shpati, në njëfarë livadhi, i çuan goxha larg, neve na thanë hajde tash shkoni për Shqipëri. Valla për Shqipëri u nisëm, veç drejt me të thanë sikur me qenë në gjumë i trullosur, se gjë ma vështirë se me ta marrë evlatin për skaj, me thanë po ta çoj në kasaphane, a me ta pushkatu, s’ka ku me shku ma keq. Kur u bëra bashkë në Shqipëri pas një muaji, u takova me hallën e me dy çikat. Po më thotë halla, djali ku është? Djali tha ku është? Ah, thashë djali ka shku në dorë të serbëve, veç Zoti nalt me t’i lënë mendtë në krye, se me të lanë mendtë”, ka deklaruar Kadri Kryeziu.
Prej atëherë, e deri në marsin e sivjetshëm, Kadriu thotë se e çoi jetën pa asnjë informacion për djalin.
“Vallahi gjithë, s’ka pasur ditë po më doket e orë që nuk më ka shkuar mendja, veç t’ia di varrin e ta heq merakun”, ka thënë Kryeziu.
Por ndryshe nga ai, Maliq Kryeziu po ashtu nga Malisheva, që 26 vjet pas ia gjetën eshtrat e djalit 18-vjeçar, thotë se njerëzit e tunduan me lloj-lloj informatash, meqë shteti deri atëherë nuk i bëri derman.
“10 vjetët e parë mund të them që ka pasur lloj-lloj informatash, ka pasur rast që kanë ardhur njerëzit tek unë dhe më kanë thënë kemi dëgjuar që Mentori të ka dërguar letër. O jo, pasha Zotin jo!”, ka thënë Maliq Kryeziu.
Shteti që eshtrat e djalit vonoi t’ia gjejë për më shumë se një çerekshekulli, nuk ka shpresë se e sjell drejtësinë për të.
“Qeveria e Kosovës që nga paslufta e deri sot nuk e ka dhënë provimin me ne si familjarë të të pagjeturve”, ka shtuar ai.
Ndonëse djalin ia gjetën, nënën vazhdon ta ketë në listën e të zhdukurve.
Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar thotë se kërkimi për të pagjeturit nuk do të ndalet.
"Nuk ka lokacion në Kosovë që ne e dimë e s’e trajtojmë. Nuk ka lokacion në Kosovë që ne kemi informacion sigurt dhe nuk shkojmë të merremi me atë. 2.900 duhet të jetë tashmë numri i lokacioneve që janë gërmuar, është çelur toka në Kosovë. Vitin e kaluar 31 lokacione janë trajtuar në territorin e Republikës së Kosovës. Kështu që çka dua të them, është se edhe tash, këtë vit po mendoj lokacioni i pestë ka pasur të trajtohet të hënën, sot jemi në fundjavë, po për shkak të shiut është anuluar dhe po pritet që javën e ardhshme të rifillohet... E para kemi shkuar në Podujevë, në një lokacion që kemi qenë për ta zgjeruar pak perimetrin. Në Dragodan, desha të them, kemi për të shkuar prapë. Në Istog do të shkojmë prapë dhe janë disa lokacione të tjera që ne veç i kemi në plan që pritet t’ia fillojmë", ka thënë Hoti.
Gërmimet varen edhe nga kushtet meteorologjike. Ato zhvillohen kryesisht nga pranvera deri në tetor, meqë në mot më të ligë nuk kryejnë punë as makineritë.
Zbardhja e fatit të të pagjeturve nuk kushtëzohet vetëm me kapacitetet në Kosovë. Për një numër të madh të tyre, institucionet janë të sigurt se gjenden në Serbi.
Hoti shprehet i bindur se të dhënat për lokacionin e 1.588 personave të tjerë gjenden në arkivat e klasifikuara të Policisë, Ushtrisë dhe Inteligjencës së Serbisë.
"Si të hyjë Serbia në këtë mes është një mur shumë, shumë i madh dhe ne e dimë që shumica e të zhdukurve janë atje, jo këtu! Për shkak se Serbia pavarësisht që vetë ka pranuar të bëjë një deklaratë për persona të zhdukur në Bruksel, pavarësisht që vetë është dakorduar ta formojë një Komision të përbashkët të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, vazhdon të mos marrë pjesë, vazhdon të jetë e ledhatuar prej atyre që munden të bëjnë diçka, sepse ne nuk mundemi ta kushtëzojmë, po prej atyre që munden, vazhdon të mos jetë e kushtëzuar dhe Serbia vazhdon ta politizojë këtë çështje ose ta përdorë strategjinë që e ka përdorur në ’99-n. Jo trup, jo krim", ka deklaruar Hoti.
Serbia vazhdon të refuzojë bashkëpunimin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ndonëse që në maj të vitit 2023 ishte pajtuar në Bruksel në kuadër të dialogut për zbatim të “Deklaratës së Përbashkët për Personat e Zhdukur”. Me këtë deklaratë ofrohet qasje e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet pas, zbatimi i saj nuk ka nisur.
Shumë prej të zhdukurve ndër vite u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi. Menjëherë pas luftës numri i të zhdukurve me dhunë ishte rreth 6 mijë sish. Nga Komisioni thonë se në tre-katër vjetët e fundit janë identifikuar rreth 60 persona.
Por, 26 vjet pas, për familjarët e 1.588 të pagjeturve lufta do të marrë fund kur të zbardhet fati i tyre deri në një.
E, drejtësia për ta do të jetë një kapitull tjetër.