Një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se grupi “nuk mund të eliminohet” me vrasjen e liderëve të tij – megjithatë ai nuk ka konfirmuar qartë vdekjen e shefit të grupit, Yahya Sinwar.
Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Basem Naim, ka lëshuar një deklaratë ku thotë: “Duket se Izraeli beson se vrasja e liderëve tanë do të thotë fundi i lëvizjes sonë dhe luftës së popullit palestinez”.
Naim ka shtuar se nuk është hera e parë që Izraeli ka thënë diçka të tillë –referuar vrasjeve të liderëve të mëparshëm të Hamasit - duke theksuar se ata janë bërë “ikona” për gjeneratat e ardhshme, raportoi BBC.
Ai e ka përshkruar Hamasin si lëvizje të lirisë “që nuk mund të eliminohet” dhe se grupi beson se fati i tij është “ose fitorja ose martirizimi”.
“Po është shumë e dhimbshme dhe shqetësuese të humbasësh njerëz të dashur, veçanërisht liderë të jashtëzakonshëm si tanët, por ajo për të cilën jemi të sigurt është se përfundimisht do të fitojmë; ky është rezultati për të gjithë njerëzit që luftuan për lirinë e tyre”, është shprehur ai.