Botë

Zyrtarët ukrainas dhe ata amerikanë pajtohen për t’u takuar

Andriy Yermak

Shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, ka deklaruar të mërkurën se ka pasur një bisedë telefonike me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Waltz, raporton BBC.

“Diskutuam për hapat e ardhshëm drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Yermak në një postim në rrjetet sociale.

Ai nuk ka dhënë detaje specifike, mirëpo ka njoftuar se ata “kanë caktuar një takim për ekipet përkatëse që mund të mbahet në të ardhmen e afërt”.

Gjithashtu, ai dhe Waltz kanë “shkëmbyer mendime për çështje të sigurisë”, si dhe për “kornizën e marrëdhënieve dypalëshe” në mes të SHBA-së dhe Ukrainës.

SHBA-ja ka ndalur ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes që presidenti Donald Trump pati me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të premten.

Që atëherë, Zelensky ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi në Zyrën Ovale dhe është shprehur i gatshëm të negociojë për marrëveshjen e paqes - diçka që është mirëpritur nga Trumpi.

Zelensky: Lëvizje pozitive në marrëdhëniet me SHBA-në

1 muaj më parë / 5 mar 2025 19:34
Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën ka deklaruar se ka pasur “lëvizje pozitive” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mund të dërgojnë në një takim të radhës ndërmjet dy palëve, transmeton The Guardian.

“Sot, ekipet ukrainase dhe amerikane kanë filluar të punojnë për një takim të radhës. Andriy Yermak dhe Mike Waltz kanë biseduar, dhe ka lëvizje pozitive. Ne shpresojmë të shohim rezultate në javën e ardhshme”, ka shkruar Zelensky në një postim në rrjetin social “X”.

Zelensky ka shkruar se ka pasur “shumë angazhim ndërkombëtar” gjatë ditës së mërkurë, duke biseduar me liderët politikë të Holandës, Portugalisë, Sllovenisë dhe Gjermanisë.

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, ka shtuar ai.

Zelensky po ashtu ka bërë me dije se ai po përgatitet të marrë pjesë në samitin e liderëve evropianë që do të mbahet të enjten në Bruksel.