Botë

Zyrtarët e Trumpit përgatiten që të nisen drejt Arabisë për negociatat Rusi-Ukrainë

Donald Trump

Foto: AP

Zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përgatitur për takim me zyrtarë të lartë rusë për të nisur bisedimet me cak që t’u jepet fund luftimeve në Ukrainë, sipas disa burimeve të CNN-it.

Këshilltari i sigurisë, Mike Waltz, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe emisari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të nisen drejt Arabisë Saudite për t’u takuar me rusët. Një nga burimet e CNN-it ka thënë se takimi pritet në ditët në vijim.

Burimet kanë refuzuar të tregojnë se cilët zyrtarë rusë do të përfshihen në takim, por sipas CNN-it pritet një zyrtar i lartë dhe zyrtarë të inteligjencës e ekonomisë dhe Kirill Dmitriev, zyrtari rus që ka pasur rol në marrëveshjet e fundit për lirim të të burgosurve.

Më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump tha se negociatat për t’i dhënë fund luftës trivjeçare në Ukrainë duhet të nisin “menjëherë” pas bisedës “së gjatë dhe shumë produktive” në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin.