Botë

Zvicra e gatshme të ofrojë mision paqeruajtës për Ukrainën

Ushtria zvicerane

Zvicra mund të kontribuojë me trupa në një mision paqeruajtës të ardhshëm në Ukrainë nëse kërkohet dhe qeveria bie dakord, ka thënë shefi i forcave të armatosura zvicerane, Thomas Suessli, në një intervistë të botuar të dielën.

"Ne ndoshta mund të nxjerrim rreth 200 ushtarë në nëntë deri në 12 muaj”, i ka thënë Suessli gazetës “SonntagsBlick”, duke theksuar se do të ishte në dorë të qeverisë dhe parlamentit të vendosnin në rastin kur kjo do t’i kërkohej Zvicrës, raporton Reuters.

Biseda për dërgimin e paqeruajtësve ishte thjesht hipotetike tani për tani, sepse është e paqartë se si do të zhvillohet situata midis Rusisë dhe Ukrainës, sipas Suessli.

"Nuk ka ende paqe dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Kombet e Bashkuara”, ka shtuar ai.

Zvicra neutrale merr pjesë në disa misione paqeruajtëse në mbarë botën, me më të madhin në Kosovë, ku ka ushtarë të dislokuar në mbështetje të KFOR-it.

Fuqitë evropiane kanë diskutuar mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve në Ukrainë në mes të përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit, tre vjet pas pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022.