Një zjarr shpërtheu të martën në një ndërtesë që i përket kompanisë farmaceutike daneze “Novo Nordisk”.
Ky është zjarri i tretë që goditi prodhuesin e barnave brenda më shumë se një muaji, raporton AP.
Nuk pati raportime për të lënduar dhe policia bëri të ditur se zjarri ishte nën kontroll.
Flakët u panë në krye të një ndërtese trekatëshe në Bagsvaerd, në periferi të Kopenhagës. Shkaku i zjarrit po hetohet.
Mediat daneze raportuan se fqinjët dëgjuan një shpërthim të madh. Zjarrfikësit deklaruan në platformën e mediave sociale X se shpërthimet "me sa duket" u shkaktuan nga bombola gazi në çati që shpërthyen.
Lars Otto Andersen-Lange, një zëdhënës për “Novo Nordisk”, i ka thënë tabloidit BT se zjarri nuk ishte në selinë qendrore.
"Nuk ka asgjë që të çojë në përfundimin se ka pasur ndonjë gjë kriminale pas zjarrit sot apo të atyre të mëparshëm”, ka thënë Andersen-Lange.
Muajin e kaluar, dy zjarre u raportuan në një objekt të kompanisë në ndërtim në Kalundborg, rreth 90 kilometra në perëndim të Kopenhagës, dhe në një ndërtesë administrative në Bagsvaerd. Askush nuk u lëndua.
"Novo Nordisk” ka disa objekte në Danimarkën perëndimore dhe prodhon ilaçin popullor për humbjen e peshës Wegovy.