Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në një zjarr masiv në një park argëtimi në Indi, raportojnë autoritet lokale, njofton “AP”.
Zjarri ka shpërthyer në parkun e lojërave në qytetin Rajkot, në shtetin perëndimor Gujarat.
“Trupat janë djegur rëndë dhe identifikimi do të jetë i vështirë”, u ka thënë gazetarëve zyrtari i lartë i policisë Radhika Bharai, ndërsa ka përditësuar numrin e viktimave.
Ka frikë se ka ende shumë viktima të bllokuara nën rrënoja.
“Deri më tash kemi konfirmuar vdekjen e 27 personave në incidentin e zjarrit”, tha komisari i policisë për qytetin Rajkot, Raju Bhargava.
Më herët ishte raportuar për 24 të vdekur. Besohet se disa nga viktimat janë fëmijë nën moshën 12-vjeçare.
Xhirimet kanë treguar zjarrfikësit duke larguar rrënojat e një strukture të shembur ku raportohet se ishte përdorur për të luajtur bouling, por kishte edhe karting dhe trampolina.
Zjarri shpërtheu të shtunën pasdite kur vendi ishte i mbushur me fëmijë dhe të rinj. Zjarri është lokalizuar tashmë dhe shkaqet e fillimit të zjarrit ende nuk janë të ditura.
Parku zakonisht është i mbushur me familje, ku fëmijët argëtohen fundjavave gjatë pushimeve verore.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka thënë se është shumë i shqetësuar nga zjarri në Rajkot dhe se mendja e tij është me familjarët e viktimave. E kryetarja e shtetit Gujarati, Bupendra Patel, ka thënë se do të caktohet një ekip special hetues.
Parku i argëtimit ishte pronë private dhe Bhargava ka thënë se ndaj pronarit do të hapet rast për neglizhencë.