Botë

Zjarr në disa termocentrale ruse pas sulmeve me dronë nga Ukraina

Ilustrim

Foto: Ilustrim

Foto: Associated Press

Ukraina ka kryer një valë sulmesh me dronë gjatë natës ndaj Rusisë, duke shkaktuar zjarre në dy objekte energjetike ruse.

Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, më shumë se 158 dronë ukrainas shënjestruan pesëmbëdhjetë rajone të vendit, përfshirë kryeqytetin Moskë, raporton BBC.

Ushtria ruse pretendon se këta dronë u kapën dhe u shkatërruan.

Por si rezultat i sulmit, një zjarr ka shpërthyer në një rafineri nafte në Moskë në një "dhomë të veçantë teknike", ka bërë të ditur kryebashkiaku i qytetit, Sergei Sobyanin.

Ai ka raportuar se të paktën 11 dronë kishin në shënjestër kryeqytetin dhe zonat përreth.

Ndërkohë, 120 km nga kryeqyteti rus, në rajonin Tver, u dëgjuan shpërthime të forta pranë termocentralit “Konakovo”.

Mediat ruse raportojnë për një zjarr në objekt.

Guvernatori i rajonit, Igor Rudenya, ka thënë se zjarri i shkaktuar nga një sulm në qarkun Konakovsky ishte vënë nën kontroll, pa dhënë detaje se çfarë e goditi.

Zyrtarët lokalë kanë thënë gjithashtu se dronët kishin cak edhe termocentralin "Kashira" në rajonin e Moskës, por nuk pati zjarr, dëme apo viktima.