Një aeroplan me të cilin po udhëtonin zëvendëspresdenti i Malavit, Saulos Chilima dhe nëntë persona tjera është zhdukur, është thënë nga Presidenca e Malavit, transmeton “BBC”.
Aeroplani i Forcave të Mbrojtjes së Malavit ka humbur nga radari pasi u largua nga kryeqendra Lilongwe të hënën në mëngjes.
Presidenti ka urdhëruar një operacion të kërkimit-shpëtimit, pasi zyrtarët e aviacionit nuk kanë qenë në gjendje të vendosin kontakt me aeroplanin.
Aeroplani ishte paraparë të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar Mzuzu, në veri të Malavit, rreth orës 10:00 me kohë lokale.
Në mesin e pasagjerëve tjerë ishin bashkëshortja e Chilimas, Mary, një numër i zyrtarëve nga partia e Chilimas, Lëvizja e Përbashkët Transformuese.
Pasi iu tha për ngjarjen presidenti i Malavit, Lazarus Chakwera anuloi vizitën e paraparë të tij në Bahame.
“Publiku do të informohet për çdo zhvillim të situatës”, është thënë nga Presidenca.
Arsyeja për zhdukjen e aeroplanit ende nuk dihet, ka thënë gjenerali Valentino Phiri. Ministri i Informimit i Malavit, Moses Kunkuyu, i ka thënë “BBC” se po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e aeroplanit.
Chilima ishte duke shkuar për të përfaqësuar qeverinë në varrimin e ish-ministrit Ralph Kasambara, që vdiq tre ditë më parë.