Botë

Zgjidhet misteri, mësohet arsyeja e vdekjeve të turistëve në një hotel në Tajlandë

Tajlandë

Gjashtë personat që vdiqën në një suitë hoteli luksoz në Tajlandë u helmuan nga pijet e mbushura me cianid, ka bërë të ditur policia, shkruan BBC.

Policia dyshon se një nga të vdekurit ishte në borxh dhe qëndronte pas helmimit.

Gjashtë turistët u gjetën të vdekur nga punonjësit e hotelit “Grand Hyatt Erawan” në kryeqytetin tajlandez Bangkok vonë të martën.

Hetuesit besojnë se ata kishin vdekur 24 orë para se të gjendeshin trupat.

Dy nga gjashtë të vdekurit ia kishin dhënë si hua 280 mijë dollarë një tjetri për qëllime investimi.

Me t’u gjetur trupat pati konfuzion dhe mister. Mediat lokale raportuan se ka pasur të shtëna, të cilat i hodhi poshtë policia.

Kryeministri i Tajlandës, Srettha Thavisin, gjatë vizitës në hotel të martën urdhëro hetim urgjent për rastin, duke theksuar se ishte “çështje private” që nuk kishte lidhje me sigurinë kombëtarë.

Tani dyshimet janë se njëri nga të vdekurit helmoi me cianid edhe të tjerët.

Katër të vdekurit ishin me shtetësi vietnameze, ndërsa dy të tjerë me shtetësi amerikane.

*Cianidi është kimikat me veprim të shpejtë, potencialisht vdekjeprurës që ndërhyn në aftësinë e trupit për të përdorur oksigjenin. Cianidi mund të jetë gaz ose lëng pa ngjyrë, siç është cianidi i hidrogjenit (HCN) ose kloruri i cianogjenit (CNCl). Cianidi mund të jetë gjithashtu formë kristali (e ngurtë) si cianidi i natriumit (NaCN) ose cianidi i kaliumit (KCN).