Botë

Zgjedhjet në SHBA, ndikimi në pjesën tjetër të botës

SHBA

Foto: Associated Press

Pavarësisht se kush do ta fitojë garën për president të SHBA-së për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, ndikimi i rezultatit të zgjedhjeve do të vërehet në shumë pjesë të tjera të botës. Ndikimi do të jetë i dukshëm duke nisur nga raportet me shtetet e tjera e deri te tregtia globale dhe klima

Bota nuk e zgjedh presidentin e SHBA-së, por ndikimi i këtyre zgjedhjeve vërehet gjithandej, pavarësisht se për cilin kandidat përcaktohen amerikanët -  kandidaten demokrate, zëvendëspresidenten Kamala Harris, apo ish-presidentin, republikanin Donald Trump.

Është një vendim që do të ketë pasoja me shtrirje globale, duke nisur nga luftërat në Gaza dhe në Ukrainë e deri te klima.

Një gjë është e qartë: këto zgjedhje polarizojnë botën po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara, por ndonjëherë në mënyra të papritura.

Izraeli

Izraelitët, nëse do të mundeshin, do të votonin me një diferencë të madhe për Donald Trumpin, të paktën sondazhet e tregojnë shumë qartë këtë. Por kushdo që fiton, ndikimi afatgjatë ndoshta do të jetë i kufizuar.

Shoqëria izraelite, për të mos përmendur Qeverinë, është më shumë kundër shtetit palestinez dhe zgjidhjes me dy shtete, sesa ka qenë në dekada. Asnjë president amerikan nuk ka gjasa ta ndryshojë këtë. Kamala Harris ndoshta do të ushtronte më shumë presion mbi Izraelin për të arritur një armëpushim dhe për të hapur bisedimet me palestinezët. Por ajo nuk do të kishte gjasa, të themi, të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Izraelin.

E, Donald Trump ndoshta do të shqetësohej më pak nëse Izraeli i lejon kolonët hebrenj të kthehen në Gaza, siç do të donte të bënte një pjesë e Qeverisë izraelite. Ai gjithashtu flet për një linjë shumë më agresive ndaj Iranit sesa Harrisi, gjë që kënaq shumë izraelitë. Por ju nuk e dini se në cilën anë të shtratit do të zgjohet. Ju e kuptoni se ai është më shumë kundërshtues ndaj rrezikut sesa tingëllon, dhe së fundmi ai u duk se i përjashtoi përpjekjet për të rrëzuar regjimin iranian.

Për shkak të kësaj paparashikueshmërie, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të ndiejë se mund të përfitojë më shumë nga administrata e Harrisit.

Rusia dhe Ukraina

Këto janë zgjedhje që kanë shumë rëndësi për Rusinë dhe Ukrainën. Trumpi ka thënë se është faji i presidentit, Volodymyr Zelensky, që Rusia e pushtoi Ukrainën. Ukrainasit shqetësohen se Trumpi do të detyronte një marrëveshje të shpejtë dhe të ndyrë paqeje, të favorshme për Rusinë. Ata shpresojnë se me Harrisin presidente do të vazhdohet mbështetja e Ukrainës në fushëbetejë.

Megjithatë, në Rusi, presidenti Vladimir Putin sheh shumë më pak ndryshim midis Trumpit dhe Harrisit për Ukrainën sesa mund të mendojmë. Ai beson se Trumpi dhe Harrisi do të jenë më pak të përkushtuar ndaj Ukrainës sesa Joe Bideni.

Putini dëshiron një marrëveshje, diçka që ai mund ta quajë fitore. Ai beson se Ukraina është një “kukull” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, ai beson se mund ta arrijë atë marrëveshje vetëm në një negociatë me presidentin e SHBA-së. Ai e ka mbështetur publikisht Harrisin. Kjo mund të duket e pasinqertë ose ironike, por Putini mund të mendojë se mund të bëjë negociata me të. 
Ekziston një mënyrë në të cilën një fitore e Trumpit do ta forconte pa mëdyshje Putinin. Kjo do të nënkuptonte një Amerikë që është shumë më pak e angazhuar në botë dhe në Evropë, të cilën Putin e sheh si sferën e tij të interesit.

Kina

Kushdo që të fitojë, presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të jetë një “skifter” ndaj Kinës. Por njerëzit në Pekin janë të ndarë se cili kandidat do të ishte më i mirë për Kinën. Idetë përqendrohen në dy çështje: tarifat dhe Tajvanin.

Zyrtarët ekonomikë kinezë janë shumë të vetëdijshëm se Trumpi ka bërë thirrje për tarifa të përgjithshme mbi eksportet e Kinës, të cilat mund të përbëjnë një kërcënim serioz për ekonominë e Kinës. Ky është një vend që është jashtëzakonisht i varur nga kërkesa e huaj, veçanërisht nga Amerika, për t’i mbajtur fabrikat e tij në funksion dhe punëtorët e  punësuar. 

Ndërkohë, bota e politikës së jashtme kineze sheh avantazhe me fitoren e Trumpit në zgjedhje.
Kina ndihet gjithnjë e më e rrethuar nga përpjekjet e SHBA-së, veçanërisht nga administrata Biden, për t’i forcuar aleancat më shumë nga fqinjët e Kinës: Japoninë, Korenë e Jugut, Filipinet, Indinë dhe mbi të gjitha Tajvanin. Harris ndoshta do t'i vazhdonte ato përpjekje. Trump është shumë më pak i përkushtuar për ndërtimin dhe ruajtjen e aleancave ndërkombëtare.

Dhe Trumpi ka treguar gjithashtu shumë më pak interes për ta mbrojtur Tajvanin. Kjo është shumë e mirëpritur nga Pekini.

Evropa dhe NATO-ja

Për Evropën, këto zgjedhje në SHBA konsiderohen si fundi i një epoke, cilido qoftë rezultati.
Varësisht se me kë flisni në Evropë, një fitore e Trumpit është ose një makth ose një dhuratë. Nativstët e Evropës, të cilët janë në rritje në Hungari, Itali, Gjermani dhe gjetkë, e konsiderojnë Trumpin si udhëheqësin e lëvizjes së tyre. Nëse ai e rifiton Shtëpinë e Bardhë, ai do t’i normalizonte dhe do ta aktivizonte linjën e tyre të ashpër ndaj imigracionit dhe identitetit kombëtar.

Ndërkohë, shumica e liderëve evropiano-perëndimorë janë thellësisht të shqetësuar. Bisedat e Trumpit për vendosjen e tarifave prej 20 për qind për gjithçka që i shitet Amerikës, duke përfshirë eksportet evropiane, mund të paraqesin katastrofë për ekonominë e Evropës. Dhe, natyrisht, Trumpi ka folur vazhdimisht për largimin nga NATO-ja.

Edhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk largohen zyrtarisht nga NATO-ja, Trumpi mund të minojë fatalisht kredibilitetin e Aleancës nëse thotë: "Unë nuk do të shkoj të luftoj për ndonjë vend të vogël evropian".
Nëse Harris fiton, ka një ndjenjë se edhe ajo do të jetë e preokupuar në shtëpi dhe më shumë e shqetësuar për Kinën, dhe do të presë që evropianët të bëjnë më shumë për veten e tyre. Ekziston një ndjenjë e dukshme në Evropë se Biden ishte ndoshta presidenti i fundit i SHBA-së që ishte personalisht i lidhur me një aleancë të krijuar në Luftën e Ftohtë.

Tregtia globale

Donald Trump thotë se “tarifa” është “fjala më e bukur në fjalor”. 

“Më e bukur se dashuria, më e bukur se respekti”.

Pra, këto zgjedhje janë, ndër të tjera, një referendum për të gjithë sistemin e tregtisë globale, teksa votuesit amerikanë bëjnë një zgjedhje që mund të prekë të gjithë botën.

Harris, nëse zgjidhet, do të mbajë tarifa të synuara për mallrat kineze për arsye të sigurisë kombëtare. Mirëpo Trumpi po premton diçka shumë, shumë më agresive, duke vendosur nivele tarifash që nuk janë parë për gati një shekull: 10 deri në 20 për qind për shumicën e produkteve të huaja dhe 60 për qind ose më shumë për mallrat e prodhuara në Kinë. Kjo do të godiste më shumë se 3 bilionë dollarë në importet e SHBA-së dhe ndoshta do të shkaktonte luftëra të shumta tregtare, pasi vendet e tjera hakmerren me tarifat e tyre. Shumica e ekonomistëve thonë se bota mund të përfundojë me më shumë tarifa, më pak tregti, të ardhura më të ulëta. Në thelb një botë më e varfër.

A mund ta bëjë Trumpi këtë? Po, ai mundet. Ai ka autoritet të gjerë ligjor. Dhe kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara po minojnë rregullat e mëdha të tregtisë ndërkombëtare në krijimin e të cilave ndihmoi.

Afrika e Jugut

Ka disa dallime interesante në mënyrën se si njerëzit në Afrikë i shohin Harrisin dhe Trumpin.

Përkundër faktit se Trumpi ka hedhur poshtë në mënyrë vulgare vendet afrikane, disa e shohin atë si një udhëheqës të fortë që i bën gjërat të kryera. Në shumë mënyra ai u ngjan shumë udhëheqësve autokratë afrikanë.

Harris në Afrikë njihet për kalimin e kohës në Zambia kur ishte duke u rritur, si mbesa e një diplomati indian atje. Dhe fakti se është me origjinë nga Afrika rezonon shumë thellë. Ajo shihet si një pjesë e madhe e kontinentit.

Bideni, dhe me sa duket edhe Harrisi, dëshiron që vendet afrikane të dekarbonizohen, sepse shumë ende mbështeten në lëndët djegëse fosile për energji. Trumpi ndoshta nuk do ta kishte atë fokus, dhe kështu presidenca e tij mund të jetë e dëshirueshme për vendet që duan të vazhdojnë me djegien e qymyrit, naftës dhe gazit, në vend që të zvarriten në transicionin e energjisë së pastër.

Afrika e Jugut po ndien një shtytje dhe tërheqje mes Perëndimit ku ka lidhjet më të forta ekonomike, dhe aleancës së vendeve BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, ndër të tjera). Duket e besueshme që nëse Trumpi fiton, ai do të jetë shumë më izolues dhe mund të mos ketë asnjë problem t’i shikojë vendet si Afrika e Jugut dhe Etiopia duke iu afruar edhe më shumë BRICS-it.

Meksika

Meksika do të përballet me sfida të mëdha nëse Trumpi zgjidhet president në SHBA. Me siguri do të ketë rritje të tensioneve në kufirin SHBA-Meksikë. Meksika është partneri më i madh tregtar i SHBA-së dhe mund të përballet me tarifa të rënda. Dhe do të jetë fqinji i një presidenti që ka kërcënuar se do të përdorë ushtrinë amerikane në tokën meksikane.

Por Meksika parashikon një regjim të ashpër imigrimi kushdo që fiton. Me Kamala Harrisin, kjo ndoshta do të nënkuptonte vazhdimësi me politikat e administratës së Bidenit që janë bërë shumë më kufizuese me kalimin e kohës.

Migrimi është një çështje e përbashkët. Emigrantët nga e gjithë bota kalojnë përmes Meksikës për të arritur në kufirin e SHBA-së. SHBA-ja s’mund ta kontrollojë fluksin e imigrantëve pa ndihmën e Meksikës.

Trumpi ka premtuar se do të dëbojë 11 milionë njerëz, kryesisht në Amerikën Latine, megjithëse ekspertët janë në mëdyshje nëse një arritje e tillë është edhe e realizueshme.

Por edhe një numër i vogël i dëbimeve mund të ketë pasoja të mëdha në të gjithë rajonin.

Klima

Shtetet e Bashkuara kanë emetuar më shumë karbon se çdo vend në histori dhe janë emetuesi i dytë më i madh tani, pas Kinës. Ajo që do të bëjë më pas do të ndikojë në aftësinë e të gjithë botës për t’i shmangur ndryshimet katastrofike klimatike.

Me Harrisin presidente, ajo ka të ngjarë të vazhdojë me politikat e Bidenit për kalimin në energjinë e rinovueshme dhe reduktimin e emetimeve të karbonit. Më pak e qartë është nëse ajo do të kufizojë prodhimin e naftës dhe gazit, pasi Shtetet e Bashkuara tani po prodhojnë më shumë naftë dhe gaz se çdo vend që ka pasur ndonjëherë.

Trumpi, nëse fiton, mund të mos i largojë fare politikat e epokës Biden. Por ai mund të përmbysë dhjetëra masa që rregullojnë emetimet nga veturat dhe termocentralet, duke minuar aftësinë e vendit për të reduktuar emetimet shpejt.

Veprimet e Trumpit mund ta lënë Kinën pa konkurrencë serioze në teknologjinë e energjisë së rinovueshme si bateritë dhe automjetet elektrike. Kina tashmë po kryeson atë garë.

Kushdo që i fiton zgjedhjet në SHBA, transicioni i energjisë tashmë është në lëvizje.

Por shpejtësia dhe shkalla kanë rëndësi. Trumpi mund të ngadalësojë transicionin duke e çuar në një zvarritje, me pasoja potencialisht katastrofike për klimën dhe botën.