Botë

Zgjedhjet në BE hapen për herë të parë për 16-vjeçarët në disa shtete

Zgjedhjet në BE mbahet nga 6-9 qershor

Zgjedhjet në BE mbahet nga 6-9 qershor

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i të rinjve, Rareş Voicu e kujton si dje kur shkoi në qendrat e votimit pesë vjet më parë për zgjedhjet e Bashkimit Evropian në qytetin e tij të lindjes në Rumani, Braila.

Problemi ishte se ai ishte 16 vjeç në atë kohë dhe nuk kishte të drejtë të votonte. Derisa familjarët e tij hynin në kabinat e votimit, ai e dinte se nuk mundej.

"Kisha bërë kaq shumë kërkime mbi partitë dhe kandidatët dhe e dija se për kë do të kisha votuar. Kështu që unë e di vetë zhgënjimin dhe sa zhgënjyese mund të jetë si i ri kur je 16 vjeç, kur je 17 vjeç”, është shprehur ai.

Tani 21 vjeç, Voicu po udhëheq një përpjekje për të siguruar që sa më shumë 16 dhe 17-vjeçarë të mund të votojnë në zgjedhjet e 6-9 qershorit të BE-së, derisa në pesë vendet anëtare të bllokut 27-vendesh i lejojnë ata të votojnë. Në vendet e tjera, mosha minimale e votimit është ende 18 vjeç, siç është në Shtetet e Bashkuara.

Mosha e votimit është caktuar 16 vjeç në Austri, Belgjikë, Gjermani dhe Maltë dhe 17 në Greqi. Në Belgjikë votimi është i detyrueshëm.

Nateo Carnot nga Celles në Belgjikën jugore, i cili është 16 vjeç, nuk do të duhet të merret me problemin që kishte Voicu, por ai e di se adoleshentët si ai do të duhet të rriten dhe të kapërcejnë apatinë politike, madje edhe pafuqinë.

“Rinia e sheh politikën si diçka nga lart – burra me kravata të mëdha në makina të mëdha që nuk dëgjojnë. Pra, ka një mosinteresim. Çfarëdo që të bëjmë nuk do të ndryshojë asgjë. Ata nuk do të dëgjojnë është arsyetimi i shumë njerëzve”, thotë Carnot.

Megjithatë, ulja e moshës në 16, siç bëri Belgjika për këto zgjedhje, tregon përmirësim, sipas Carnot. 

“Kjo tregon se politikanët fillojnë të tregojnë interes për ne dhe e kuptojnë se ne jemi mjaft të pjekur për të shprehur zërin tonë”, është shprehur ai.

Disa e shohin uljen e moshës minimale të votimit si një dredhi për të marrë një votë të lehtë nga adoleshentët që mezi e kanë tejkaluar fëmijërinë. Voicu nuk pajtohet me këtë.

“Kur je 16, kur je 17 vjeç, shpesh ke të drejtë të marrësh vendime mjekësore për trupin tënd. Ju keni detyrimin për të paguar taksat nëse keni një punë. Mund të hyni në partneritete civile ose mund të martoheni. Pra, ju i keni të gjitha këto detyra, të gjitha këto detyrime. Ajo që ne po kërkojmë janë të drejtat demokratike për njerëzit e rinj që t’i harmonizojnë përgjegjësitë e tyre. Ne mendojmë se nuk është e drejtë”, ka thënq Voicu i cili dëshiron që më shumë shtete ta zvogëlojnë moshën e votimit. 

Adoleshentët e vonshëm gjithashtu mund të kandidojnë për poste në shumë vende. Shtetet e Bashkuara kanë një moshë minimale prej 25 vjeç për të kandiduar për Kongresin, por shumica e vendeve të BE-së lejojnë këdo 18 vjeç e lart të përfaqësojë elektoratin e tyre në Parlamentin Evropian në Strasburg të Francës dhe në Bruksel.

Kira Marie Peter-Hansen u trondit kur kuptoi se ishte zgjedhur në Parlamentin Evropian si përfaqësuese e partisë të të Gjelbërve të Pavarur danezë pesë vjet më parë, në moshën 20-vjeçare. 

“Kurrë nuk kam pritur që të zgjidhem, kështu që nuk e kam planifikuar as këtë. Dhe kjo nuk ishte pjesë e ëndrrave të mia të fëmijërisë”, është shprehur ajo. 

Puna në sallat e shenjta të Parlamentit që herët jo vetëm që e hutoi atë, por edhe politikanët dhe stafin e BE-së. 

“Njerëzit që mendojnë se jam praktikante. Gjysmëvjetori i parë ishte super i vështirë dhe konfuz”, ka treguar Peter-Hansen.

Por ajo u rrit në të.

Nëse ka një gjë që ajo ka mësuar gjatë pesë viteve të fundit, është se ka pak çështje specifike të të rinjve kundrejt të moshuarve që kërkojnë qasje specifike. 

“Shumë votues të rinj dhe të moshuar janë të shqetësuar nga kriza klimatike, kriza e natyrës. Pra, ka disa vende ku ne mund të takohemi ndër breza”, ka deklaruar ajo.

Shumë anëtarë të partive të djathta ekstreme dhe populiste presin që të rinjtë të bashkohen me të moshuarit për të hedhur poshtë fuqitë dhe partitë tradicionale që kanë qeverisur Parlamentin e BE-së për kaq gjatë. 

"Ata shohin të ardhmen dhe e ardhmja duket e zymtë”, ka thënë Tom Vandendriessche i partisë së ekstremit të djathtë “Flemish Interest”, e cila është pjesë e Grupit të Identitetit dhe Demokracisë. 

“Si mund të kenë besim te këto parti tradicionale ... që na kanë qeverisur për dekada dhe që na kanë sjellë në këtë rrëmujë”, ka shtuar Vandendriessche duke përmendur çështjet e migrimit dhe terrorizmit. 

Ndërkaq, Manon Aubry, një anëtare e parlamentit nga partia e majtë “France Unbowed”, vuri në dukje çështje të ndryshme për të cilat të rinjtë duhet të shqetësohen, të tilla si përjashtimi social, pabarazia dhe varfëria. 

Aubry këmbënguli se zgjedhjet janë momenti ideal për t'iu kundërvënë kujtdo, nga kryeministri hungarez te presidenti francez, e deri te kreu i kompanisë më të madhe në botë të mallrave luksoze. 

“Është e vetmja kohë, i vetmi vend ku ti, unë, çdo i ri, ka aq pushtet sa Viktor Orbani, Emmanuel Macroni apo si Bernard Arnault, një nga djemtë më të pasur në Bashkimin Evropian,” është shprehur ajo.