Botë

Zgjedhje sa për sy e faqe për të rizgjedhur Putinin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se synon të zgjasë pushtetin e tij, duke rikandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Pothuajse 80 për qind e rusëve përkrahin pushtetin e tij teksa që prej vitit 2022 kur nisi luftën për pushtimin e Ukrainës, Rusia është një prej vendeve më të izoluara në botë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se do të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, të cilat pritet t’i fitojë.

Putini gëzon përkrahje të madhe edhe pas një çerekshekulli në pushtet, ani pse nisi luftën në Ukrainë që ka marrë jetët e mijëra bashkëvendësve të tij.

Kryengritja jetëshkurtër ndaj tij në qershor nga lideri i mercenarëve Yevgeny Prigozhin ngriti spekulimet se Putini mund të humbte kontrollin, por nga kryengritja doli pa asnjë gërvishtje. Ndërkaq vdekja misterioze e Prigozhinit ka forcuar idenë se Putini ka kontroll të plotë në Rusi.

Putini njoftoi vendimin për zgjedhjet e 17 marsit në një ceremoni në Kremlin.

“Këshilli i Federatës ka caktuar zgjedhjet për president të Federatës Ruse. Unë, në emër të popullit, do t’ju kërkoja që të merrnit pjesë në këto zgjedhje”, ka thënë Artyom Zhoga, oficer i ushtrisë ruse nga Donetsku i pushtuar në Ukrainë.

“Ju faleminderit. Nuk do ta fsheh faktin se në kohëra të ndryshme kisha mendime të ndryshme. Tani keni ardhur në këtë kohë kur duhet marrë vendimi. Do të garoj për president të Federatës Ruse”, ka pretenduar të thotë me modesti presidenti rus.

Rreth 80 për qind e rusëve e përkrahin Putinin, kanë treguar sondazhet e fundit.

Pasi ka bërë reformat kushtetuese, ai ia ka mundësuar vetes që të kërkojë edhe dy mandate të tjera me nga gjashtë vjet dhe me këtë plan ai mund të mbetet në pushtet deri në vitin 2036.

Pasi ka kontroll të plotë të sistemit politik, fitorja e Putinit në muajin mars është plotësisht e siguruar. Kritikët e njohur që do të mund ta sfidonin në zgjedhje ose janë në burgje, ose në shtetet e tjera, ndërkaq media të pavarura në Rusi nuk ka.

Se kush do ta sfidojë në këto zgjedhje mbetet e paqartë.

Deri më tani, dy kandidatë kanë konfirmuar garën: ish-deputeti Boris Nadezhdin dhe Yekaterina Duntsova, gazetare dhe avokate në rajonin Tver afër Moskës.

Të premten, qytetarët e Kievit kanë reaguar ndaj lajmit se Vladimir Putini do të rikandidojë për postin e presidentit në zgjedhjet që do të mbahen në marsin e vitit të ardhshëm.

Ukrainasit kanë thënë se është e dukshme që Putini do të fitojë. Ata nuk shohin ndonjë kundërkandidat që do të mund ta rrëzonte Putinin nga pushteti.

Ndërkaq shumë të tjerë kanë thënë se zgjedhjet janë veç formalitet për t’ia zgjatur pushtetin presidentit rus që nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Putini i frikësuar

Në vitin 2008, Putini u bë kryeministër shkaku i mandatit të kufizuar, por mbeti forcë e madhe në Rusi. Mandati presidencial pastaj ishte zgjatur në gjashtë vjet nga katër, teksa një pako tjetër e ndryshimeve kushtetuese, të cilën e nisi vetë, mundësoi mbajtjen e dy mandateve të tjera gjashtëvjeçare duke filluar nga viti 2024.

“Ka frikë ta dorëzojë pushtetin”, thotë Dmitry Oreshkin, analist politik dhe profesor i Universitetit të Lirë në Riga të Letonisë.

Në kohën e amendamenteve që ia mundësonin atij edhe dy mandate, shqetësimet e Putinit për humbje të pushtetit u ashpërsuan: sondazhet tregonin se 60 për qind e rusëve e përkrahnin.

Sipas disa analistëve, kjo rënie në popullaritet mund të ketë qenë arsyeja kryesore për nisjen e luftës në Ukrainë.

“Konflikti me Ukrainën ishte një ngjitës i nevojshëm. Atij i duhej të konsolidonte pushtetin”, thotë Abbas Gallyamov, ish-fjalimshkrues i Putinit, i cili tani jeton në Izrael.

Analistja Fiona Hill, ish-eksperte e Këshillit amerikan për Sigurinë Kombëtare në çështjet ruse, pajtohet se Putini mund të ketë menduar se një luftë e vogël do të mund të konsolidonte përkrahjen për rizgjedhjen e tij si president.

“Ukraina do të katapultonte”, thotë ajo. “Do të vendoste një president të ri në Ukrainë. Do ta shpallte veten president të Bashkimit të ri të Bjellorusisë, Ukrainës dhe Rusisë dhe do të ishte në kohë me zgjedhjet. Ai e shihte veten si lider suprem”, shton ajo.

Lufta e paparashikuar

Mirëpo lufta nuk i doli si e parashikoi. U shndërrua në moment të tmerrshëm dhe përbën sfida të mëdha për popullaritetin e Putinit dhe mundësisë që të thellohen korrupsioni dhe jotoleranca ndaj disidentëve.

Philip Short, autor i librit “Putini”, beson se lideri rus do të kishte dashur tranzicion politik para vitit 2024 “me qëllim që të mos garonte më”, por dështimet e tij në Ukrainë e kanë detyruar që të vazhdojë.

Analistja Tatiana Stanovaya thotë se Putini “beson se kur ju i shërbeni shtetit, nuk mund ta lini postin në situata të vështira”.

Ani pse Putini për kohë të gjatë ka braktisur fotografitë si maço ose si gjahtar arushash, ai ka treguar pak shenja se do të ndalet. Fotografitë e vitit 2022 tregonin një qëndrim të dobët, duke nxitur spekulimet se ishte i sëmur keq.

Pushteti i Putinit daton mes pesë presidentëve amerikanë, nga Bill Clintoni e deri te Joe Bideni. Ai u bë president i përkohshëm në natën e Vitit të Ri në vitin 1999, kur Boris Yeltsin dha dorëheqje krejt papritur. Në mandatin e tij të parë u zgjodh në marsin e vitit 2000.

Kur u detyrua të jepte dorëheqje në vitin 2008 shkaku i kufizimit të mandatit, ai mori postin e kryeministrit teksa aleati i tij, Dmitry Medvedev, shërbeu si president kukull.

Kur Putini njoftoi se do të garonte për mandatin e ri në vitin 2012 dhe Medvedevi u pajtua menjëherë që të bëhej kryeministër, shpërthyen protesta masive në të cilat morën pjesë 100 mijë njerëz.

“Ai është president luftërash, është duke mobilizuar popullatën pas tij. Dhe ky do të jetë mesazhi për zgjedhjet 2024, varësisht se çfarë do të ndodhë në fushëbetejë”, thotë Hill.