Edhe pse lufta vazhdon në Gaza, duke shkaktuar humbje të mëdha jetësh, një studim i kohëve të fundit sugjeron se ka një mbështetje të gjerë në mesin e palestinezëve për sulmet vdekjeprurëse të Hamasit ndaj Izraelit. Ndërkohë, shumica e izraelitëve nuk janë të fokusuar në vrasjen e civilëve palestinezë dhe nuk mbështesin ofensivën ushtarake të vendit të tyre për ta shtypur Hamasin dhe për të sjellë pengje në shtëpi, sugjerojnë sondazhet.
Tre muaj pas raundit më vdekjeprurës të luftimeve në konfliktin dhjetëvjeçar këtu, unë kam pyetur izraelitët dhe palestinezët në Jerusalem për pikëpamjet e tyre.
Duke shërbyer kafe me shkumë në diellin e dimrit, kafenetë në perëndim të qytetit janë plot gjallëri. Por për izraelitët, lufta e ndezur në Gaza është një shqetësim i vazhdueshëm.
“Është gjithmonë në mendjen tonë, ne kemi shumë miq me fëmijë dhe të afërm që janë ushtarë atje në Gaza dhe lutemi shumë për ta”, thotë Edna, një grua fetare hebreje nga Bnei Brak.
“Vetëm dje vizituam djalin e një shoku të tij i cili ishte i plagosur. Ata nuk e dinë nëse do t’i humbasë të dyja këmbët. Me vullnetin e Zotit shpresojmë të mos ndodhë”, thotë ajo.
“Dhe ne vazhdojmë të mendojmë për pengjet. Është sikur një pjesë e jona është atje”.
Sulmet e 7 tetorit vranë rreth 1200 njerëz në jug të Izraelit. Më shumë se 100 nga 240 pengjet që u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza mbeten në robëri.
“Propaganda” e Izraelit
Ndërkohë, sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në territorin palestinez kanë vrarë rreth 23 mijë njerëz, thotë ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza. Shumica dërrmuese e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre mes shkatërrimit të gjerë.
Megjithatë, javën e kaluar, një sondazh nga Instituti i Demokracisë së Izraelit (IDI) ka zbuluar se dy të tretat e izraelitëve nuk mendonin se Izraeli duhet të pajtohej me kërkesat nga SHBA-ja për të kaluar në një fazë të luftës që redukton bombardimet e rënda në zonat me popullsi të dendur.
“Njerëzit që duan të shohin se çfarë po ndodh në Gaza mund ta shohin atë nëpërmjet internetit”, thotë anketuesi kryesor i IDI-së, Profesor Tamar Hermann, duke iu referuar vuajtjes njerëzore. “Por media nuk po sjell në dhomat tona të jetesës të njëjtat imazhe që shohin njerëzit në Evropë apo shtete të tjera në botë”.
Ajo shton se skenat e civilëve të Gazës që festonin sulmin e 7 tetorit minuan simpatinë publike në Izrael.
“Ndryshe nga operacionet e mëparshme ushtarake, civilët nuk perceptohen këtu si kalimtarë të pafajshëm. Simpatia është mjaft e ulët”, thotë Prof Hermann.
Duke u nisur drejt qytetit të vjetër, gjej Tzafir Brachan i cili ka ardhur për një vizitë. Ai po qëndron me të afërmit dhe është një nga dhjetëra mijëra izraelitë, shumica e të evakuuarve, nga jugu i Izraelit, i cili nuk është kthyer në shtëpi për tre muaj. Ai është ende i tronditur nga ajo që ka ndodhur.
“Unë mendoj se do të duhet kohë që të gjithë të kuptojnë se sa e madhe ishte kjo ngjarje, më 7 tetor dhe çfarë katastrofe ishte”.
Tzafir beson se bota duhet të shohë se Hamasi duhet të mposhtet në mënyrë që të mos jetë më një kërcënim.
“Ne duhet të kemi një fitore. Ju duhet të gjeni njerëzit që e shkaktuan këtë dhe t’i largoni ata nga shoqëria dhe vetëm atëherë mund të keni vërtet paqe”, ka theksuar ai.
Në rrugët e ngushta të Qytetit të Vjetër, shumë palestinezë nga Lindja e pushtuar e Jerusalemit më thonë se ndihen të kufizuar në atë që mund të thonë publikisht. Shumë veta theksojnë se si postimet në mediat sociale shpesh monitorohen nga Izraeli.
Por të gjithë ata që takoj po e ndjekin luftën minutë pas minute.
“Unë jam në Instagram, në X. Unë ndjek njerëz nga Gaza”, thotë Haneen, një studente infermiere. “Të gjithë ndihemi të trishtuar”.
Por ajo më thotë se dyshon në versionin zyrtar të Izraelit për atë që ndodhi më 7 tetor.
“Ne e dimë si palestinezë se Izraeli përdori propagandë, kështu që ne nuk besojmë atë që thonë ata. Ne e dimë se ka një pjesë që është e drejtë, por pjesët e tjera nuk janë të drejta”.
Pozicioni i saj është i zakonshëm në mesin e palestinezëve, sipas sondazhit të fundit të kryer në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gaza nga Qendra Palestineze për Kërkimin e Politikave dhe Anketave.
“Shumica dërrmuese e palestinezëve nuk besojnë se Hamasi ka kryer ndonjë mizori, shumica dërrmuese nuk ka parë asnjë video që tregon mizori. Sigurisht, këto video janë atje”, thotë profesor Khalil Shikaki, i cili mbikëqyri sondazhin.

Mbështetja për Hamasin
Hulumtimi i tij gjeti mbështetje të shtuar për Hamasin, kryesisht në Bregun Perëndimor, megjithëse shumica e palestinezëve ende nuk e mbështesin grupin e armatosur, të parë nga Izraeli, Britania e Madhe dhe shumë vende perëndimore si një organizatë terroriste.
Më e rëndësishmja, në sondazh, 72% e publikut palestinez besonte se vendimi i Hamasit për të nisur ofensivën e tij më 7 tetor ishte i saktë.
Një pronar palestinez dyqani, i cili nuk dëshiron të japë emrin e tij, përpiqet të shpjegojë arsyetimin. Ai akuzon mediat e huaja se kanë injoruar kontekstin më të gjerë të viteve të gjata të bllokadës së vendosur nga Izraeli dhe Egjipti pasi Hamasi mori pushtetin në vitin 2007 dhe kushtet e vështira të jetesës që krijoi.
“Njerëzit në Gaza kanë jetuar në një burg të madh”, më thotë ai.
Tani ai është i dëshpëruar me bashkësinë ndërkombëtare sepse nuk po bën më shumë për të ndalur luftimet.
“Ne shohim gjëra të vështira në televizor. Shumë e rëndë. Vriten fëmijët. Vriten gratë. Vriten të moshuarit pa arsye. Ata nuk bënë asgjë. Është e pabesueshme”, thotë shitësi.
“Sinqerisht, nuk e imagjinoj, si mundet që njerëzit të shikojnë këto lloj gjërash kur ata kanë fuqinë t’i ndalojnë këto gjëra? A po shohin një film hollivudian? A është kjo një hiç për ta?”.
Në Jerusalem, ka shumë gjëra që i ndajnë izraelitët dhe palestinezët me të cilët kam folur.
Megjithatë, shumica tani ndajnë një mosbesim më të thellë të ndërsjellë dhe një frikë të përbashkët për atë që kanë rezervuar muajt në vazhdim. Ekziston gjithashtu një ndjenjë e fortë nga të dyja anët se njerëzit në mbarë globin nuk e kuptojnë dhimbjen dhe vuajtjen e tyre.
Përktheu: Blerta Haxhiu