Botë

Zelensky: Vonesa e përdorimit të armëve të Perëndimit ka kushtuar jetë njerëzish

Volodymyr Zelensky - presidenti i Ukraines

Foto: Associated Press

Vonesa e Joe Biden në miratimin e përdorimit të armëve perëndimore kundër objektivave në Rusi, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ua ka mundësuar forcave ruse “të qeshin me Ukrainën dhe të sulmojnë njerëzit e saj”. 

Në një intervistë për Guardian, presidenti ukrainas ka deklaruar se paqartësitë e Shtëpisë së Bardhë sa i përket kësaj çështeje kanë kushtuar jetë njerëzish.

Ai i ka kërkuar presidentit amerikan të kapërcejë shqetësimet e tij të përhershme për “përshkallëzimin” e mundshëm bërthamor me Moskën.

Presidentit amerikan, Joe Biden, i ka dhënë leje Ukrainës që të sulmojë brenda territorit rus me armë amerikane, edhe pse ka kushtëzuar përdorimin e tyre. Sipas dy zyrtarëve amerikanë, armët amerikane janë lejuar të përdoren mbi kufirin afër Kharkivit, pasi Rusia avancoi dukshëm në pjesën verilindore të shtetit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se pa dritën jeshile të SHBA-së, aleatët e tjerë sikurse Britania e Madhe, mund të mos e lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre me rreze të gjatë.

Ai ka thënë se duhet t’u përgjigjen sulmeve ruse pasi, sipas tij, Rusia nuk kupton asgjë përpos forcës.

Vërejtjet e Zelenskyt erdhën pasi administrata Biden të enjten zbuti politikën e saj të gjatë që e ndalonte Ukrainën të përdorte armë amerikane kundër objektivave brenda Rusisë. Ai i dha leje Ukrainës që të kundërpërgjigjet – por vetëm pranë Kharkivit, ku Moska ka zhvilluar një ofensivë të re.
Vendimi lejon Ukrainën të përdorë artilerinë “Himars” të SHBA-së për të goditur ushtarët rusë dhe qendrat e komandës dhe kontrollit. 

Zëdhënësi i Zelenskyt, Serhii Nykyforov, përshëndeti lëvizjen e SHBA-së. Ai i tha se kjo do të rrisë ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për të kundërshtuar sulmet ruse. 

Por Shtëpia e Bardhë këmbënguli se politika e saj për ndalimin e sulmeve thellë brenda Rusisë nuk kishte ndryshuar. Sipas SHBA-së Ukraina nuk do të jetë ende në gjendje të përdorë sistemin me rreze të gjatë “Atacms” brenda Rusisë.

Duke folur brenda selisë së tij presidenciale, Zelensky e bëri të qartë se dëshironte të përdorte armë me rreze të gjatë, siç janë raketat “Storm Shadow” të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha se, pavarësisht raporteve për të kundërtën, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte dhënë “leje 100%” për ta bërë këtë.