Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vazhduar ofensivën e tij diplomatike duke biseduar me dy liderë të tjerë evropianë gjatë ditës së mërkurë, shkruan The Guardian.
Në orët e fundit, ai bisedoi me kancelarin në ikje të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrin e Holandës, Dick Schoof.
Përmes një postimi në rrjetin social X, presidenti ukrainas ka thënë se ka pasur “një bisedë të sinqertë” me Scholzin, duke insistuar se Ukrainës nuk i duhet një “armëpushim i përkohshëm, por një përfundim i mirëfilltë i luftës”.
Ndërkaq, Scholzi ka thënë se solidariteti i Gjermanisë ndaj Ukrainës është i “pathyeshëm”, dhe se ka mirëpritur qasjen e Zelenskyt për të negociuar në kuadër të procesit të paqes që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E kryeministri holandez Schoof, ka deklaruar se ka folur me Zelenskyn në lidhje me pakon e ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë eurove, që Holanda planifikon t’i dhurojë Ukrainës, si pjesë e mbështetjes për luftën e saj kundër agresionit të Rusisë.