Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të martën "të mos fshihen" dhe t'i përgjigjen provave të përfshirjes së Koresë së Veriut në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ai ka thënë në fjalimin e tij të natës se Ukraina ka informacione për përgatitjen e dy njësive, me deri në 12,000 trupa të Koresë së Veriut, për të marrë pjesë në luftë së bashku me forcat ruse, raporton Reuters.
"Kjo është një sfidë, por ne dimë se si t'i përgjigjemi kësaj sfide. Është e rëndësishme që partnerët të mos fshihen edhe nga kjo sfidë”, ka thënë Zelensky.
As Koreja e Veriut dhe as Rusia, tha ai, nuk e morën parasysh numrin e të vdekurve në një konflikt.
"Por të gjithë ne në botë kemi një interes të barabartë për t'i dhënë fund luftës, jo për ta zgjatur atë. Prandaj ne duhet ta ndalojmë Rusinë dhe bashkëpunëtorët e saj. Nëse Koreja e Veriut mund të ndërhyjë në një luftë në Evropë, atëherë presioni mbi këtë regjim është padyshim i pamjaftueshëm”, është shprehur Zelensky.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka thënë të martën se është e mundshme që Koreja e Veriut kishte filluar të dërgonte qindra trupa për të ndihmuar Rusinë në konfliktin prej më shumë se 2-vjeçar.
Një diplomat i lartë amerikan ka thënë të hënën se Washingtoni po konsultohej me aleatët e tij mbi implikimet e përfshirjes së Koresë së Veriut dhe shtoi se një zhvillim i tillë do të ishte një "zhvillim i rrezikshëm dhe shumë shqetësues" nëse është i vërtetë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë të hënën se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut do të përshkallëzonte ndjeshëm konfliktin.