Presidenti ukrains, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të hënën në samitin në Kiev bashkë me liderët e BE-së dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau se një shkëmbim i plotë i të burgosurve të luftës me Rusinë mund të jetë "fillimi" i përfundimit të luftës.
Ka pasur 60 shkëmbime të burgosurish midis dy palëve që nga fillimi i luftës, duke përfshirë një në dhjetor që përfshinte qindra të burgosur të shkëmbyer, raporton BBC.
"Ky është opsioni i drejtë”, ka thënë Zelensky, duke vënë në dukje se ka mijëra ukrainas të arrestuar në Rusi, disa që janë mbajtur që nga pushtimi i Krimesë në vitin 2014.
"Rusia duhet t'i lërë të lirë ukrainasit. Ukraina është e gatshme të shkëmbejë të gjithë për të gjithë dhe ky është një opsion i drejtë”, ka shtuar ai.
Ukraina nuk publikon numrat e të burgosurve të luftës që mbahen nga Rusia, por totali mendohet të jetë më shumë se 8,000.
Zelensky ka paralajmëruar gjithashtu për çdo marrëveshje të negociuar me nxitim me Rusinë, duke thënë se paqja nuk mund të shpallet brenda një ore.
"Ne duhet të fitojmë paqen përmes forcës, mençurisë dhe unitetit, përmes bashkëpunimit tonë me ju (liderët në samit)."
Sipas tij, paqja e qëndrueshme do të funksionojë vetëm nëse Ukrainës i jepen "garanci të forta sigurie".
