Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ka zhvilluar diskutime me presidentin francez, Emmanuel Macron për mundësinë e vendosjes së trupave perëndimore në Ukrainë për të mbrojtur çdo marrëveshje paqeje që i jep fund luftës gati trevjeçare me Rusinë.
Njoftimi i Zelenskyt është bërë përpara një vizite zyrtare në Kiev të martën nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Ai ka mbërritur në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar pas një takimi në Varshavë të hënën me homologët e tij nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Polonia.
Gjermania dhe katër vendet e tjera janë pesë shpenzuesit kryesorë ushtarakë të Evropës.
Pistorius i ka thënë agjencisë gjermane të lajmeve dpa se vizita e tij në Kiev synon të nënvizojë mbështetjen e fortë të Gjermanisë për Ukrainën në një kohë kur mandati i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që fillon javën e ardhshme, duket se do të sjellë ndryshime të thella në politikën e Ëashingtonit për luftën.
Pistorius ka thënë se vizita e tij “është një sinjal se Gjermania, si vendi më i madh i NATO-s në Evropë, qëndron në krah të Ukrainës, jo vetëm, por me grupin prej pesë anëtarësh dhe shumë aleatë të tjerë”.
Trumpi ka kritikuar koston e luftës për taksapaguesit amerikanë përmes paketave të mëdha të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe është zotuar se do ta çojë konfliktin në një fund të shpejtë.