Botë

Zelensky: Të dashur aleatë, Putini po ju teston

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky pranë frontit të luftës në Pokrovsk

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dalë sërish me një reagim pas sulmit rus me një raketë balistike, që presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi eksperimentale me rreze mesatare veprimi.

Zelensky ka shkruar në X se Putini është duke i testuar vendet perëndimore, duke u shprehur se lideri rus s'ka interesim për paqe.

“Putini jo vetëm që po e zgjat luftën, por po pështyn në fytyrën e atyre që me të vërtetë e duan rivendosjen e paqes. Bota duhet të përgjigjet. Aktualisht s'ka asnjë reagim të fuqishëm nga bota. Putini është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj. Ai po ju teston, të dashur partnerë. Është e qartë se kush është fajtori i vetëm i kësaj lufte...Ai duhet ndaluar”, thuhet në mesazhin e Zelenskyt.

Ai i ka përsëritur thirrjet që vendi i tij të ndihmohet ndaj agresionit rus, derisa tha se Ukraina ka të drejtë të shfrytëzojë sisteme ajrore me rreze të gjatë veprimi për t’u mbrojtur.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se raketa eksperimentale balistike që së fundmi u lansua ndaj caqeve ukrainase “është dhjetë herë më e shpejt se shpejtësia e zërit” dhe mund të “udhëtojë” tre kilometra në sekondë.