Botë

Zelensky: Takimi me Trumpin ka potencial të jetë historik

Zelensky: Takimi me Trumpin ka potencial të jetë historik

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të shtunën se takimi “shumë simbolik” me presidentin amerikan, Donald Trump, në Vatikan ka “potencial të jetë historik, nëse arrihen rezultate të përbashkëta”.

“Shpresojmë për rezultate në gjithçka që kemi diskutuar. Mbrojtja e jetëve të njerëzve tanë. Armëpushim i plotë dhe pa kushte. Paqe e besueshme dhe e qëndrueshme që do të parandalojë një luftë të re”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social X.

Ai e ka përfunduar postimin e tij duke e falënderuar presidentin amerikan.

Takimi u mbajt në një kohë kritike të negociatave që kanë për qëllim t’i japin fund luftimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, teksa detaje të tjera rreth takimit nuk janë bërë publike.

Presidenti amerikan është duke iu bërë presion të dyja palëve që të pajtohen për një armëpushim, tek ka shtuar të premten se bisedimet ndërmjet të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe lidershipit rus kishin qenë produktive.

Takimi në Vatikan është i pari që prej përplasjes që ndodhi në Zyrën Ovale mes Trumpit dhe Zelenskyt, në fund të muajit shkurt. Pas përplasjes, SHBA-ja i kishte pezulluar përkohësisht ndihmat ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës për Ukrainën, megjithëse ky vendim ishte ndryshuar më vonë.

Lexo përditësimet tjera
Trump, Zelensky

Trump e Zelensky takohen në Vatikan

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, në Vatikan, ku të dy...