Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vizita e të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Kellogg, në Kiev “rikthen shpresë”.
Kellogg, i dërguar special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Ukrainë dhe Rusi, ka biseduar me Zelenksy si pjesë e përpjekjeve të Washingtonit për të përfunduar luftën në Ukrainë, ka raportuar “The Kyiv Independent”.
“Ishte një takim që rikthen shpresën, dhe ne kemi nevojë për marrëveshje të forta me Amerikën, marrëveshje që me të vërtetë funksionojnë”, ka deklaruar Zelenksy pas takimit.
Takimi ndodhi pas tensioneve të ditëve të fundit në mes Washingtonit dhe Kievit. Ukraina nuk ishte ftuar në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë për të ndaluar luftën, që u zhvilluan në Arabinë Saudite më 18 shkurt.
Trumpi ka lavdëruar bisedimet në mes SHBA-së dhe Rusisë dhe e ka quajtur Zelenksyn “diktator”, duke kërkuar që në Ukrainë të mbahen zgjedhje.
Pas injorimit nga SHBA-ja duke mos u ftuar në bisedimet në Riad, Zelensky ka deklaruar se Trumpi po jeton në një hapësirë keqinformimi të krijuar nga Rusia.
Kur Kellogg erdhi në Ukrainë më 19 shkurt, ai ka deklaruar se qëllimi i tij ishte të dëgjojë për shqetësimet e Kievit dhe t’i adresojë ato në Shtëpinë e Bardhë. Kellogg nuk ka marrë pjesë në bisedimet në Arabinë Saudite.
Kellogg u takua me zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe qeverisë ukrainae. Derisa Zelenksy dukej më optimist pas takimit me Kelloggin, Washingtoni ka kërkuar që të mos mbahet konferencë e përbashkët për media pas takimit.
Zelenksy ka deklaruar se bisedimet u fokusuan në zhvillimet në linjën e frontit, të burgosurit e luftës nga Rusia, dhe për nevoja e Ukrainës për garancione afatgjata të sigurisë.
“Ne të gjithë kemi nevojë për paqe: Ukraina, Amerika, të gjithë në botë”, ka deklaruar Zelenksy.