Botë

Zelensky: S’ka marrëveshje për Ukrainën pa përfshirjen e Ukrainës në negociata

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymy Zelensky, ka deklaruar të enjten se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje të bërë për përfundimin e luftës pa u përfshirë Kievi në të, raporton "BBC". 

Ai ka bërë thirrje për përfshirjen e Evropës në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën tha se ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë. 

“Është me rëndësi që çdo gjë të mos shkojë sipas planit të Putinit”, tha Zelensky, duke shtuar që negociatat të mos bëhen bisedime bilaterale mes SHBA-së e Rusisë. 

Zelensky ka thënë se nuk e sheh telefonatën e Trumpit me Putinin si “shenjë se biseda me Rusinë ishte prioritet për presidentin amerikan”. 

Por, ai ka thënë se nuk është e kënaqshme kjo. 

“Nuk mund të ketë bisedime për Ukrainën pa Ukrainën dhe evropianët duhet të jenë po ashtu në tavolinë të negociatave”, tha Zelensky. 

Zelensky shtoi se i ka thënë Trumpit se prioritet për vendin e tij janë “garancitë e sigurisë”, diçka që nuk e sheh të mundur pa SHBA-në. 

Rusia nisi pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.