Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shpreson që SHBA-ja të “qëndrojë e fortë” përballë kërkesave ruse për të hequr sanksionet, si kusht për një armëpushim në Detin e Zi.
Moska zyrtare ka thënë se një armëpushim detar i shpallur të martën për të lejuar kalimin e sigurt për anijet tregtare, do të fillojë vetëm pasi të hiqen kufizimet perëndimore në tregtinë ruse të ushqimit dhe plehrave, raporton BBC.
I pyetur gjatë një interviste me gazetarë nga e gjithë Evropa të mërkurën vonë në Paris, nëse SHBA-ja do t'i rezistonte presionit rus, Zelensky ka thënë se shpreson që po.
Shtëpia e Bardhë ka thënë të martën se delegacionet ruse dhe ukrainase kanë rënë dakord për një armëpushim në Detin e Zi pas tre ditësh bisedime të veçanta me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite.
Por disa orë më vonë, Kremlini lëshoi deklaratën e tij duke përfshirë një listë të kushteve.
Kërkesat e tij përfshijnë revokimin e sanksioneve perëndimore ndaj institucioneve financiare të përfshira në tregtinë bujqësore dhe rikthimin e qasjes së tyre në sistemin ndërkombëtar të pagesave Swift - një rrjet që lehtëson mesazhet e sigurta financiare.
Trumpi ka thënë se qeveria amerikane po "shikonte" kërkesën e Moskës për heqjen e kufizimeve, por BE-ja ka thënë të mërkurën se nuk do të konsideronte heqjen e sanksioneve përpara tërheqjes "të pakushtëzuar" të trupave ruse nga territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës.