Botë

Zelensky shpreh mirënjohjen ndaj SHBA-së: Ne e kuptojmë rëndësinë e Amerikës

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur mirënjohjen e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e marrë gjatë luftës kundër Rusisë.

“Sigurisht, ne e kuptojmë rëndësinë e Amerikës dhe jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Zelensky në një videadresim të dielën.

Ai ka shtuar se liderët evropianë së shpejti do të "formojnë pozicionet e përbashkëta", duke përshkruar qëllimet e përbashkëta lidhur me fundin e luftës në Ukrainë.

"Këto pozicione do t'u paraqiten partnerëve tanë në Shtetet e Bashkuara”, është shprehur Zelensky. 

Britania ka mbajtur një samit të dielën në të cilën ndër të tjera është vlerësuar mbështetja e SHBA-së për Ukrainën, pasi ajo u duk sikur po rrezikohej pas një qortimi të ashpër që presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendësi i tij JD Vance ia bën presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke i thënë se ai nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës për mbështetjen e Amerikës.

Kryeministri britanik, Keir Starmer ka thënë të dielën se Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi për t'ia paraqitur Shteteve të Bashkuara.

Hapat drejt paqes do të përfshinin vazhdimin e rrjedhes së ndihmës në Kiev dhe ruajtjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë për të forcuar dorën e Ukrainës, sigurimin që Ukraina të jetë në tryezën e bisedimeve dhe çdo marrëveshje paqeje duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e saj, dhe vazhdimin e armatosjes së Ukrainës për të penguar pushtimin e ardhshëm.

Nuk është e sigurt nëse presidenti rus, Vladimir Putin do të pranojë ndonjë plan të tillë, për të cilin Starmer ka thënë se do të kërkonte mbështetjen e fortë të SHBA-së.