Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka udhëtuar në Britani të enjten. Ai është takuar me kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Bisedimet mes të dyve vijnë ndërsa Zelensky kërkon të sigurojë mbështetje të re për shtetin e tij në luftën me Rusinë, raportoi BBC.
Bisedimeve do t’i bashkëngjitet edhe Mark Rutte, shefi i ri i NATO-s.
Zelensky më pas pritet të vazhdojë turin diplomatik në Evropë me vizitat në Francë dhe Itali.
Ai raportohet se do t’i kërkojë Starmerit sërish që Ukrainës t’i lejohet përdorimi i raketave britanike në territorin rus. Ai ka bërë thirrje publike disa herë që forcat ukrainase të lejohen ta bëjnë një gjë të tillë.
Britania ka kontribuuar me 12.8 miliardë funte ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit nga Rusia.