Botë

Zelensky: Rusia po synon ta zgjasë luftën

Volodymy Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë të enjten përmes një postimi në rrjetin social X, se ka “për synim që të zgjasë luftën”, teksa i ka bërë thirrje SHBA-së ta “detyrojë” Moskën që t’i japi fund luftës.

Zelensky në veçanti ka theksuar se “për më shumë se një ditë, bota po pret të dëgjojë një përgjigje kuptimplotë nga Rusia mbi propozimet e bëra”. 

“Kjo dëshmon përsëri se Rusia synon të zgjasë luftën dhe të shtyjë paqen sa më shumë që të jetë e mundur. Ne shpresojmë se presioni i SHBA-së do të jetë i mjaftueshëm për të detyruar Rusinë që t’i japi fund luftës”, ka thënë Zelensky.

Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Yuri Ushakov, ka thënë të enjten se një armëpushim i përkohshëm në luftën e Ukrainës do të ishte një “pushim” për ushtrinë ukrainase dhe një mundësi për t’u rigrupuar.

Ukraina është pajtuar për një armëpushim 30-ditor me Rusinë të propozuar nga SHBA-ja, teksa pritet që pala amerikane t’ia paraqesë propozimin zyrtarisht edhe palës ruse.

Në postimin e tij në rrjetin social X të enjten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka folur edhe në lidhje me takimin e delegacionit ukrainas dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite.


Ai ka thënë se “bisedimet ishin plotësisht konstruktive”, duke shtuar se Ukraina është “e përkushtuar që të lëvizë shpejtë në drejtim të paqes”. 


Zelensky ka shtuar se përfaqësuesit e tij i kanë thënë zyrtarëve amerikanë se “Ukraina është gati për armëpushim në ajër dhe në det, dhe se SHBA-ja ka propozuar që armëpushimi të zgjerohet edhe në tokë”.


“Ukraina e mirëpret këtë propozim”, ka vazhduar ai, duke theksuar se “kontrolli i një armëpushimi të tillë mbetet një çështje e rëndësishme, dhe se ne vlerësojmë gatishmërinë e Amerikës për të organizuar aspektet teknike të këtij kontrolli”.