Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë të dielën se po tenton të krijojë një përshtypje të rremë se gjoja po e respekton “armëpushimin e Pashkëve”. Ai tha se Rusia ka vazhduar sulmet brenda natës, pas shpalljes së armëpushimit 30-orësh nga presidenti rus, Vladimir Putin, raporton AP.
“Që nga mëngjesi i Pashkëve, mund të themi se Ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypje të përgjithshme të një armëpushimi, por në disa vende, ajo nuk braktis përpjekjet individuale për të avancuar dhe për të shkaktuar humbje në Ukrainë”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social X.
Pavarësisht deklarimit të Putinit për armëpushim në kohën e festës së Pashkëve, Zelensky ka thënë se forcat ukrainase kishin evidentuar 59 raste të bombardimeve ruse dhe pesë sulme nga njësitë nëpër zona të ndryshme përgjatë vijës së frontit, si dhe dhjetëra sulme me dronë.
Ai ka theksuar se Rusia duhet t’i përmbahet plotësisht kushteve të armëpushimit dhe ka përsëritur ofertën e Ukrainës për të zgjatur armëpushimin edhe për 30 ditë, duke filluar nga mesnata e së dielës.
Presidenti rus ka shpallur të shtunën “armëpushimin e Pashkëve” në luftën në Ukrainë, duke nisur nga mbrëmja e së shtunës e deri në mesnatën e së dielës.
Putin nuk ofroi detaje se si do të monitorohej armëpushimi ose nëse do të mbulonte sulmet ajrore apo betejat e vazhdueshme tokësore.
Njoftimi i tij për armëpushimin është bërë në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Rusinë dhe Ukrainën se nëse nuk ka progres të shpejtë në marrëveshjen e paqes, atëherë SHBA-ja do ta braktisë procesin negociator “brenda ditësh”.